Një gol i rrallë u shënua në divizionin e dytë të futbollit portugez. Benfica B, ekip ku luan edhe Adrian Bajrami, mbrojtësi 20-vjeçar që debutoi me kombëtaren shqiptare në miqësoren e qershorit ndaj Estonisë (0-0), fitoi 1-2 me përmbysje në fushën e Trofense.
Vendasit e mbyllën pjesën e parë në avantazh, teksa momenti më i bukur i ndeshjes ndodhi në minutën e 65-të. Portieri i ekipit B të “Shqiponjave të Lisbonës”, Samuel Soares realizoi një eurogol nga porta në portë, duke barazuar përkohësisht rezultatin.
20-vjeçari, i cili është pjesë e Portugalisë U21, festoi gjatë me shokët e ekipit, teksa pas ndeshjes komentoi kryeveprën e tij me këto fjalë: “Pashë që portieri i tyre kishte dalë disi nga porta dhe duke pasur erën në favor, vendosa të rrezikoj.
Për fat shkoi mirë, ky gol do të mbetet gjatë në memorien e njerëzve”, deklaroi Soares, realizimi i të cilit është kthyer viral në rrjetet sociale. Topi u përplas në shpinën e portierit pasi preku pjesën e brendshme të traversës dhe u regjistrua si një autogol, por kjo nuk ka shumë rëndësi pasi merita ishte e gjitha e “gardianit” të Benficas.
