Pas Senegalit, që triumfoi sërish ndaj Egjiptit me penallti si në finalen e Kupës së Afrikës, janë kualifikuar në Katar 2022 edhe katër kombëtare të tjera afrikane: Gana, Kameruni, Maroku dhe Tunizia.
Gana barazoi 1-1 në Nigeri dhe siguroi kualifikimin në Botëror pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë (goli jashtë fushe vlen akoma në duelet e futbollit afrikan).
Thomas Partey i Arsenalit kaloi kombëtaren mike në avantazh (9’), por vendasit reaguan shpejt dhe vendosën baraspeshën me anë të William Troost-Ekong. Lojtari i Watfort ktheu në gol një penallti në mesin e pjesës së parë.
Victor Osimhen gjeti rrjetën (34’), por goli i sulmuesit të Napolit u anulua nga VAR-i, që ndali festën e vendasve. Sfida nuk prodhoi më gola dhe në fund festuan ganezët.
Tifozët nigerianë nuk e pritën aspak mirë mungesën e kualifikimit dhe zbritën në fushën e blertë duke shkaktuar trazira të shumta. Kameruni realizoi një përmbysje të madhe në Algjeri.
“Luanët e Paepur” kishin humbur 0-1 në shtëpi, ndërsa dje triumfuan 1-2 në Blida të Algjerisë, duke u kualifikuar në Katar 2022 falë golit jashtë fushe. Eric Maxim Choupo-Moting kaloi miqtë në avantazh në pjesën e parë.
Algjeria barazoi takimin në fillimin e fraksionit të dytë të sfidës, por VAR-i anuloi golin e Islam Slimani. Ndeshja në shtesa, sulmuesi i Sportingut të Lisbonës u ndal sërish nga VAR-i (98’), por Algjeria ia doli të realizonte një gol të rregullt.
Ahmed Touba tundi rrjetën kundërshtare në minutën e 118’, por Karl Toko Ekambi, sulmuesi i Lyonit, shënoi në 124’ dhe i dhuroi Kamerunit një kualifikim drithërues.
Maroku nuk hasi probleme në shtëpi përballë Republikës Demokratike të Kongos, rival që pasi e mposhti 0-2 në transfertë e mundi edhe 4-1 në shtëpi. Achraf Hakimi ishte një nga autorët e golave për Marokun.
Festoi edhe Tunizia, që iu fal fitores 0-1 në ndeshjen e parë për t’ia dalë përballë Malit. Sfida e kthimit përfundoi në barazim pa gola, me Tunizinë që mbajti portën e paprekur dhe preu një biletë për në Katar.
[quiz-cat id=”297576″]
