Featured

VIDEO/ Perla e Uzunit nuk mjafton, dy gafa në mbrojtje i dhurojnë fitoren Izraelit

Izraeli na mposht përsëri. Kombëtarja e Edi Rejës bëri shumë pak në transfertën e Tel Aviv-it, sfidë të cilën e humbi 2-1. Lojë aspak pozitive dhe lamtumirë vendi i parë në grupin 2 të Ligës B në Nations League, që u sigurua nga Izraeli.

Në pjesën e parë krijuam dy raste shumë të mira me Armando Brojën, i cili çedoi në momentet e fundit duke mos gjuajtur fort dhe saktë, ndërkohë që vendasit u shfaqën të rrezikshëm me aksionet e nisura nga kapiteni Dasa.

Pjesa e dytë nisi shumë mirë për Izraelin, që kaloi në avantazh falë golit të Shon Ëeissman, aksion ku gaboi Elseid Hysaj dhe mbrojtësit e qendrës. Myrto Uzuni barazoi rezultatin me një eurogol dy minuta përpara fundit.

Por, një gafë fatale e Enea Mihajt në minutën e dytë shtesë solli golin e dytë të Izraelit me anë të Tai Baribo. Shqipëria mbetet në vend të fundit me një pikë, teksa të martën presim Islandën në “Air Albania”, aty ku do tentojmë të marrim vendin e dytë në grup.

Nations League

IZRAEL-SHQIPËRI 2-1 (Weisman 46′, Baribo 90+2′ / Uzuni 88′)

Kronika e ndeshjes:

 90+2′ izraeli rikthehet në avantazh me anë të Tai Aribo, i cili shfrytëzon gafën fatale të Mihajt.

 88’ Eurogol i Myrto Uzunit, i cili gjen trekëndëshin e portës kundërshtare me një goditje magjike fluturimthi.

 83’ Sulm i bukur i Kombëtares tonë, asist i Hysajt nga e majta, por nuk përfiton as Uzuni dhe as Broja.

 78’ Tjetër ndërhyrje e Rejës. Trajneri hedh në fushë Myrto Uzunin dhe Enea Mihajn. Mbaron ndeshja për Sokol Cikalleshin dhe Arlind Ajetin.

 70′ “Predha” e Ylber Ramadanit devijohet në këndore nga portieri Omri Glazer. Shqipëria afër golit të barazimit.

 67′ Zëvendësim i dyfishtë nga Edi Reja, i cili aktivizon Nedim Bajramin dhe Ylber Ramadanit në vend të Kristjan Asllanit dhe Amir Abrashit.

 65′ Momente tensioni në fushë. Sokol Cikalleshi ndëshkohet me të verdhë pasi provokohet nga Neta Lavi, të cilin e shtyn dhe e hedh në tokë.

 63’ Izraeli afër golit të dytë me anë të Liel Abada, i cili nuk realizon me portën e boshatisur.

 57′ Kuqezinjtë pranë barazimit. Krosim i bukur i Veselit, Cikalleshi u vjedh kohën mbrojtësve vendas, por goditja me kokë përfundon jashtë.

 53′ Goditje dënimi për Shqipërinë. Kroson Kristjan Asllani, Ajeti dhe Ismajli ngatërrohen me njëri-tjetrin. Gjuajtja me kokë e Ajetit përfundon mbi tra.

 46′ Vetëm 39 sekonda pas nisjes së pjesës së dytë, Izraeli na ndëshkon. Gabim i Hysajt, vendosje e gabuar e qendrës së mbrojtjes dhe finalizim i Shon Weissman, sulmuesit të Valladolid.

 46′ Edi Reja bën zëvendësimin e parë, largon Ivan Balliun dhe aktivizon Frederic Veselin.

 44′ Armando Broja dhuron “show” dhe driblon dy mbrojtës kundërshtarë, por gjuajtja e sulmuesit të Chelsea nuk ka forcën e duhur.

 37’ Izraeli në sulm. Kapiteni Dasa kroson rrezikshëm nga krahu i djathtë, për fat nuk devijohet nga asnjë prej tre lojtarëve vendas.

 31′ Rrezikon Izraeli me anë të Liel Abada, por diagonalja e sulmuesit të Celticit përfundon ngjitur me shtyllën pingule.

 28’ Izraeli pretendon për penallti. Dolev Haziza rrëzohet duke simuluar pas “kontaktit” me Qazim Laçi, arbitri vijon lojën.

 19′ Eli Dasa tenton të befasojë Strakoshën, por gjuajtja nga larg e kapitenit të Izraelit përfundon mbi traun e portës tonë.

 6′ Mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë. Presingu lart i Armando Brojës jep efekt, sulmuesi rrëmben një top mbrojtjes mike, por gjuajtja e tij pritet në dy kohë nga portieri i Izraelit.

 2′ Goditje këndi për Izraelin që e nis me vrull, grushton Thomas Strakosha.

 Starton ndeshja në “Bloomfield Stadium” të Tel Aviv-it.

Shqipëria luan mbrëmjen e sotme “finalen” e parakohshme të Ligës së Kombeve, pasi një fitore e bën pretendenten kryesore për vendin e parë në grup dhe çdo rezultat tjetër ia “vret” shpresat për këtë objektiv.

Ashtu siç e pati paralajmëruar SuperSport gjatë dy ditëve të kaluara, trajneri Edi Reja ka ndryshuar skemën në prag të këtij takimi, duke zgjedhur të luajë me një 4-3-1-2, teksa në majë të sulmit i ka besuar dyshes Cikalleshi-Broja, të mbështetur nga Kristjan Asllani pas shpine.

Në portë është Strakosha i përzgjedhuri, ndërsa në mbrojtje, Ajeti luan në krah të Ismajlit në qendër, me Hysajn e Balliun nga krahët. Sa i përket mesfushës, konfirmohet Gjasula e Abrashi, të cilët do të kenë në krah edhe Qazim Laçin.

Formacionet zyrtare:
Izraeli (4-3-3): Glazer; Dasa, Miguel Vitor, Goldberg, Leidner; Kanichovsky, Lavi, Karzev; Haziza, Weissman, Abada
Shqipëria (4-3-1-2): Strakosha; Balliu, Isamajli, Ajeti, Hysaj; Gjasula, Abrashi, Laçi; Asllani; Cikalleshi, Broja

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency