Nico Ali Walsh nisi boksin profesionist duke ndjekur rrugëtimin e Muhammad Ali, legjendës së këtij sporti, njëkohësisht gjyshi i tij. 22-vjeçari është djali i Rasheda Ali, vajzës së dytë të Muhammad Ali. Nico debutoi në boks gushtin e vitit të kaluar dhe deri tani numëron pesë fitore.
Të gjithë me KO (Knock-Out), duke dhënë sinjale që do të bëhet një boksier i madh në të ardhmen. Fitorja e fundit ishte thjesht spektakolare. Nicos i mjaftoi raundi i parë për të hedhur në tapet amerikanin Alejandro Ibarra në Las Vegas.
Suksesin ia dedikon si gjithmonë Rashedës, mamasë së tij, shkrimtare, aktore, sipërmarrëse dhe spikere e njohur. “Këto gjëra ndodhin kur punon shumë. Po rikthej në jetë gjyshin tim, ky është shkaku pse mamaja emocionohet sa herë që thërritet emri im në ring”, deklaroi pas suksesit të fundit.
Nico zgjodhi të zbriste në ring në debutim me pantallonat e shkurtra personale të bardha të gjyshit të tij, që iu dhuruan pas vdekjes së Muhammad Ali në vitin 2016.
