Kosova mori një pikë në ndeshjen e parë të fazës eliminatore të Euro 2024. Dardanët e Giresse e mbyllën në barazim 1-1 takimin e luajtur në Tel Aviv përballë Izraelit.
Milot Rashica ishte protagonist tek autogoli i kapitenit Eli Dasa (36’). Ndërkohë, sulmuesi i Galatasaray humbi shansin e artë të golit të fitores në minutat shtesë.
Vendasit barazuan rezultatin me diagonalen e saktë të Dor Peretz (56’). Pak më parë ishte VAR-i që anuloi golin e Milot Rashicës për prekje të topit me dorë.
Lexo edhe:
- U shkarkua nga Bayern, destinacioni i ardhshëm i Nagelsmann në Premier League
- Al Khelaifi: Duam t’i mbajmë Messin, Mbappen dhe Ramos, por kemi një sy te akademia
- Modric: E ardhmja? Dëshira ime dihet, pjesa tjetër janë thashetheme dhe supozime
- Mbappe fokusohet te Maignan: Ishte e rëndësishme të mos pësonte gola!
Pjesa e parë foli më shumë për Izraelin. Kosova bëri më mirë në fraksionin e dytë të sfidës, duke humbur disa raste të pastra në minutat e fundit.
Kosova luan ndeshjen e radhës në grupin I ndaj Andorrës në “Fadil Vokrri” të Prishtinës (28 mars). Zvicra, Rumania, Bjellorusia janë rivalët e tjerë të dardanëve.
Eliminatoret, Euro 2024
IZRAEL-KOSOVË 1-1 (Peretz 56′ / Dasa (aut) 36′,)
Kronika e ndeshjes:
90+3′ E pabesueshme çfarë humbet Milot Rashica!!! Mbyllet në barazim 1-1 ndeshja Izrael-Kosovë.
89′ Vedat Muriqi rrëzohet në zonë. Kosova pretendon për penallti, arbitri vijon lojën.
83′ Kosova pranë golit të fitores. I pafat Arbër Zeneli, gjuajtja e të cilit kalon ngjitur me shtyllën.
74′ Devijohet goditja, këndore për Izraelin.
73′ Gabon Ante Muriç gjatë kthimit të një topi. Goditje dënimi për Izraelin.
61′ Muriqi gjen bukur Rashicën. Ky i fundit pason për Celinën, i cili gjuan bukur, por i përgjigjet në të njëjtën mënyrë portieri izraelit.
56′ Izreali barazon rezultatin. Dor Peretz autori i golit për vendasit.
53′ Edon Zhegrova i papërmbajtshëm, gjuan Rashica, pret portieri vendas.
51′ Anulohet goli i Rashicës për prekje me dorë.
49′ Milot Rashica realizon gol, Kosova në avantazh të dyfishtë, por ndërhyn VAR-i.
48′ Izreali e nis në sulm pjesën e dytë. Devijohet gjuajtja e Solomon.
42′ Izraeli sërish i rrezikshëm, Arijanet Muriç eviton rrezikun në portën e Kosovës.
40′ Kosova me fat! Rast i shkëlqyer për vendasit, Manor Solomon e dërgon topin jashtë.
36′ Goooooooooool! Kosova në avantazh. Rashica niset nga krahu majtë, kapiteni Eli Dasa e devijon topin në portën e tij. Festë dardane në Tel Aviv.
32′ Del përpara Kosova, Edon Zhegrova gjuan me kokë, por qendrore dhe pa forcën e duhur.
25′ Izraeli pranë golit të avantazhit. Shon Weissman rrezikon Muriç. Topi përfundon jashtë për fat të mirë.
4′ Pasim gabim i Kryeziut, Izraeli i afrohet golit me Shon Weissman. Pret në dy kohë Arijanet Muriç.
FORMACIONET ZYRTARE
Kosova nis fushatën eliminatore Gjermani 2024 nga Tel Avivi, ku do të përballet me Izraelin vendas. Trajneri Giresse ka ndarë mendjen edhe për formacionin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë.
Kështu në portë konfirmohet Aro Muriç. Para tij kapiteni Rrahmani e Kryeziu, ndërsa nga krahët, Paqarada e Vojvoda. Në mesfushë luajnë Celina, Dresevic e Muslija. Sa i përket sulmit, Muriqi mbështetet nga Rashica e Zhegrova nga krahët.
Sfida Izrael-Kosovë transmetohet ekskluzivisht në ekranin e SuperSport 3.
