Zvicra nisi në mënyrën më të mirë të mundshme rrugëtimin drejt Euro 2024. Kombëtarja helvete mposhti 5-0 Bjellorusinë në ndeshjen e parë të Grupit I të zhvilluar në Novi Sad të Serbisë.
Që Bjellorusia nuk do të paraqiste rrezik për përfaqësuesen e Murat Yakin, kjo u duk që në fillimin e sfidës. Zviceranët kaluan përpara pas vetëm 4 minutash lojë. Renato Steffen realizoi me portën e boshatisur, teksa përfitoi nga një top i larguar jo siç duhet.
Vlen të thuhet që dhe dy golat e tjerë që 31-vjecari realizoi në minutat 17′ dhe të 29′, erdhën në një mënyrë të ngjashme. Dalje nga krahu i majtë, pasim në qendër dhe gol. Tripleta e sulmuesit të Luganos dërgoi helvetët në pushim me komoditet të plotë.
Lexo edhe:
- U shkarkua nga Bayern, destinacioni i ardhshëm i Nagelsmann në Premier League
- Al Khelaifi: Duam t’i mbajmë Messin, Mbappen dhe Ramos, por kemi një sy te akademia
- Modric: E ardhmja? Dëshira ime dihet, pjesa tjetër janë thashetheme dhe supozime
- Mbappe fokusohet te Maignan: Ishte e rëndësishme të mos pësonte gola!
Megjithatë, ata nuk nguruan të realizojnë dhe dy herë të tjerë dhe të thellojnë edhe më tepër epërsinë. Granit Xhaka la shenjën e tij në dy golat e pjesës së dytë. Në minutën e 62′, mesfushori i Arsenalit shënoi në mënyrën e tij të zakonshme.
Ai goditi fort nga jashtë zonës dhe mposhti portierin bjellorus. Tri minuta më vonë, Xhaka asistoi për të sapofuturin Amdouni, i cili gjeti golin e parë me fanellën e përfaqësueses.
Zvicra respektoi të gjitha pritshmëritë me paraqitjen ndaj bjellorusëve dhe diferenca e golave i vendos menjëherë me vendin e parë, një pozicion që aspirojnë ta kenë deri në fundin e kualifikueseve të Euro 2024.
