Reagon Kukësi. Verilindorët fituan një ndeshje shumë të vështirë ndaj Skënderbeut duke marrë tre pikë të arta që mbajtën gjallë shpresat e tyre në garën për titull.
Pas humbjes ndaj Dinamos skuadra e Diego Longos mori tre pikët e para për vitin e ri pasi mposhti minimalisht 1-0 Skënderbeun në një ndeshje të cilin e vendosi i rikthyeri i madh i verilindorëve Vasil Shkurtaj që realizoi që në prekjen e parë të topit, duke zgjidhur një ndeshje delikate të cilën Kukësi e luajti për më shumë se 50 minuta me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të portierit Tafas.
Nëse shtylla i tha jo golit të kapitenit Gjelbërim Taipi në pjesën e parë, në të dytën 12 minuta para fundit të kohës së rregullt, realizoi Vasil Shkurtaj për t’i dhënë 3 pikë Kukësit që e ngjitën në vendin e dytë me 31 pikë po aq sa Laçi dhe 3 më pak se Tirana që luan nesër ndaj Dinamos.
Kronika e ndeshjes:
90′- Ndeshja u mbyll me fitoren e Kukësit edhe pse në fund, Skënderbeu drithëroi portën e Xhikës me Ardit Nikajn
78′-Çfarë debutimi për Vasil Shkurtajn. Në prekjen e parë të topit sulmuesi i rikthyer te Kukësi në këtë merkato gjen golin. Asist perfekt i Gjelbërim Taipit nga gjysmëfusha
70′-Nikaj fal Kukësin në tentativën me kokë
58′-Provon Elvi Berisha me një aksion personal por pret Xhika
47′-Rast i rrezikshëm për Kukësin, por tentativa e Gjelbërim Taipit nga goditja standarte merr kundërpërgjigjen e Bekim Rexhepit
45+3′ Përfundon pjesa e parë në Loro Boriçi, Kukësi me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të portierit Tafas, ndërsa më pas verilindorët u ndalën nga shtylla pas gjuajtjes brenda zonës së Gj.Taipit
44′ Mundësi e artë për Kukësin, por goditja e Gj.Taipit ndalet në shtyllë me portierin Rexhepi të mposhtur. Të pafat verilindorët
40′ Mara ekzekuton mjeshtërisht goditjen e dënimit në hyrje të zonës, por ndalet nga traversa dhe një devijim i Xhikës
39′ Zëvendësim i detyruar tashmë për Kukësin, Longo largon Bytyçin dhe në lojë aktivizohet portieri Xhika
35′ Kukësi mbetet me 10 futbollistë, Mensah i drejtohet i vetëm portës pas një gabimi të verilindorëve. Portieri Tafas ndërhyn gabimisht ndaj sulmuesit dhe Olsid Ferataj nuk heziton për t’i treguar kartonin e kuq
34′ Skënderbeu provon me Jean-Victor por goditja e mesfushorit është shumë e lehtë për portierin Tafas
32′ Shqiprim Taipi lëviz mirë në gjysmëfushën e Skënderbeut, krijon hapësirën dhe tenton portën e Rexhepit. Por, goditja e mesfushorit shkon shumë larg kuadratit
27′ Zbret mirë Skënderbeu me Vangjelin i cili harkon në zonën e Kukësit, por aty Gligorov është i vendosur dhe largon para se sfera të shkojë në këmbët e Berishës
22′ Shfaqet Skënderbeu falë një kundërsulmi, Mara nis Berishën por portieri Tafas është më i shpejtë dhe largon rrezikun
17′ Musta provon të befasojë portierin Rexhepi me kokë, megjithatë loja më parë ishte ndalur për një pozicion të parregullt
14′ Goditja e parë nga këndi i takon Kukësit, por verilindorët nuk arrijnë të përfitojnë
10′ Minuta të qeta dhe pa raste në Loro Boriçi, teksa iniciativa i takon skuadrës së Kukësit
1′ Starton sfida në Loro Boriçi, Kukësi për fitoren e parë të vitit 2022 ndaj Skënderbeut
Formacionet zyrtare:
Kukësi (5-3-2): Tafas, Gligorov, Bytyçi, Lulaj, Marku, Dragoshi, Sh. Taipi, Pablo De Lucas, Gj. Taipi, Musta, Basa
Trajner: Diego Longo
Skënderbeu (5-3-2): Rexhepi, Zguro, Sadriu, Bajrami, Meksi, Frashëri, Vangjeli, Victor, Mara, Berisha, Mensah
Trajner: Migen Memelli
[quiz-cat id=”297408″]
