Bayer Leverkusen e filloi me fitoren vitin e ri në Bundesliga. Skuadra e Xavi Alonsos, triumfoi me rezultatin 2-3 përball Borussia Monchengladbach duke gjetur fitoren e katërt radhazi në kampionat. “Aspirinat” morën një tre pikësh me shumë vlera në transfertë.
Fraksioni i parë i sfidës foli vetëm për skuadrën e udhëtuese, që realizoi dy gola tepër të rëndësishëm. Fillimisht ishte mbrojtësi Mitchel Bakker, i cili përfitoi maksimalisht nga kthimi i topit që në fillim u ndal në shtyllë (21′).
Në fundin e pjesën së parë, Leverkusen realizoi dhe golin e dytë, me francezin Amine Adli. Mesfushori përfitoi nga një vendosje jo e mirë e lojtarëve të Mochengladbach. 22-vjeçari mori kontrollin e topit në mesfushë dhe në fund përballë portierit e pati të lehtë për të realizuar golin e dytë.
Fraksioni i dytë foli përsëri për skuadrën e Xavi Alonsos, që realizoi edhe golin e tretë (67′), me anë të një kombinimi perfekt midis Adli dhe Amiri.
Minutat e fundit të sfidës ishin spektakolare, pasi Monchengladbach shënoi dy herë me Lars Stindl. Fillimisht mesfushori tundi rrjetën kundërshtare në minutën e 82′ nga brenda zonës pas asistimit të Wolf. Goli i dytë u realizua në minutat shtesë (90+3′) . Stindl shënoi një gol spektakolar nga jashtë zonës.
Megjithatë në fund “Aspirinat” triumfuan dhe falë kësaj fitoreje u ngjitën në vendin e nëntë në kuotën e 21 pikëve, ndërsa Monchengladbach mbetet në vendin e tetë me 22 pikë.
