Ballkani zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në Rumani, por humbi 1-0 ndaj Cluj dhe e mbylli me humbje aventurën në Conference League, duke u renditur në vendin e fundit në grupin G me 4 pikë.
Kampionët e Kosovës zhvilluan një futboll të bukur edhe në sfidën e fundit, iu afruan disa herë golit me Berishën, Rrahmanin, Korenicën dhe kapitenin Kuc, ndërkohë që Nana Boateng realizoi golin e fitores për vendasit në minutën e 17’.
Cluj, që siguroi kualifikimin falë suksesit ndaj Ballkanit duke nxjerrë Slavian e Pragës jashtë Europës, pati dy mundësi të arta në minutën e 35’, por Stivi Frashëri priti dy penallti të njëpasnjëshme të 36-vjeçarit Ciprian Deac.
Ballkani arriti një fitore në Turqi ndaj Sivassporit (3-4) dhe siguruan pikën e parë në fazat e grupeve pas barazimit 1-1 me Cluj në “Fadil Vokrri”, ndërkohë që luajti si i barabartë me kundërshtarët në gjashtë takimet e grupit G.
Djemtë e Ilir Dajës guxuan, prodhuan një futboll të bukur e modern dhe dhuruan emocione të forta për tifozët shqiptarë në aventurën e parë europiane të një ekipi dardan.
Conference League
CLUJ-BALLKANI 1-0 (Boateng 17′)
Kronika e ndeshjes:
70′ Aksion i bukur i Ballkanit, Korenica pason për Edvin Kuc, kapiteni lëshon një të djathtë potente, grushton portieri Simone Scuffet.
60′ Stivi Frashëri eviton një tjetër gol. Andrei Burca gjuan bukur me kokë, përgjigjet në të njëjtën mënyrë “gardiani” i Ballkanit.
54′ Ballkani në kërkim të barazimit. Thaqi kroson nga goditja e dënimit, Albion Rrahmani fiton duelin ajror me mbrojtësit vendas, por goditja me kokë përfundon mbi tra.
35′ Stivi Frashëri fantastik! Portieri i Ballkanit pret dy penallti të njëpasnjëshme ndaj Ciprian Deac.
17′ Rumunët kalojnë në avantazh. Nana Boateng tundi rrjetën e Frashërit me një goditje potente nga afër.
13′ Aksion i bukur i Ballkanit. Kapiteni Armend Thaqi hodhi një top në zonë, por Albin Berisha, edhe pse i pamarkuar, goditi keq.
Formacionet zyrtare
