Bayern Munchen doli pa pikë nga transferta në M’Gladbach. Kampionët në fuqi të Gjermanisë, humbën 3-2 në “Borussia-Park”, stadium ku nuk fitojnë prej marsit të vitit 2019. Ndeshja nisi keq për bavarezët, të cilët mbeten me dhjetë lojtarë në minutën e tetë.
Dayot Upamecano u ndëshkua me karton të kuq pasi kryesori kërkoi ndihmën e VAR-it. Vendasit përfituan dhe kaluan në avantazh me anë të Lars Stindl (13’). Kapiteni realizoi një gol shumë të bukur. Bayerni reagoi dhjetë minuta përpara fundit të fraksionit të parë të sfidës.
Alphonso Davies “shpërtheu” në krahun e majtë, dhuroi një asist për Eric Maxim Choupo-Moting. Sulmuesi kamerunas gjeti golin e tetë sezonal në Bundesliga. M’Gladbach u rikthye në avantazh falë golit të Jonas Hofmann (55’). Gjashtë minuta përpara fundit pati festë edhe për Markus Thuram.
Sulmuesi francez realizoi golin numër 11 në kampionatin gjerman. Mathys Tel shkurtoi rezultatin në minutën e tretë shtesë, por nuk pati më kohë për Bayernin, që mund të humbasë kreun e renditjes nëse Union Berlin mposht Schalke 04 të dielen.
Lexo edhe
- VIDEO/ Ngec City, Nottingham “asist” Arsenalit. Chelsea në krizë
- VIDEO/ Goditje dënimi perfekte, Ward-Prowse në ndjekje të Beckham
- Mbaron aventura e Marcelos në Greqi, braziliani ndërpret kontratën me Olympiacos
- Gaboi në Arsenal-Brentford, 51-vjeçari tërhiqet nga arbitrimi
Vijon të bëjë mirë edhe Freiburgu, që këtë pasdite ia doli të triumfojë me rezultatin 0-2 në transfertën ndaj Bochumit. Freiburg vijon të ruajë pozitat në vendin e katërt me 40 pikë, tri më pak se Bayerni. Gregoritsch hapi serinë e golave në të 39′ dhe Holer shënoi të dytin në të 51′ për Freiburgun. Bochum mbeti me 10 futbollistë, pas kartonit të kuq të Losilla në të 64′, duke mos arritur të rihapë më lojën.
Rikthehet te fitorja edhe Leipzig, që pas një barazimi e një humbjeje, befasoi Wolfsburgun në transfertë, duke iu imponuar me rezultatin e pastër 0-3. Forsberg shënoi për “Demat” golin e avantazhit në të 14′, ndërsa në minutat 85’ dhe 92’ ishin Laimer dhe Szoboszlai që vulosën suksesin. Me këtë fitore, Leipzig ngjitet në kuotën e 39 pikëve, në vendin e pestë të renditjes.
Provon të shqelmojë krizën edhe Stuttgarti. Pas tri humbjesh radhazi, ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Kolnit në shtëpi dhe të dalë përkohësisht nga zona e ftohtë e renditjes.
