Sevilla vazhdon të vuajë në këtë sezon, si në La Liga ashtu edhe në Champions League. Skuadra spanjolle humbi 1-4 përballë Dortmundit të mërkurën në mbrëmje, disfatë që i ka shkaktuar pankinën trajnerit Julen Lopetegui.
Tifozët nuk e kursyen mbështetjen për të dhe nisën koret pro trajnerit gjatë takimit ndaj verdhezinjve gjermanë, por klubi ka zgjedhur të bëjë një ndryshim pas mungesës së reagimit nga ana e lojtarëve.
56-vjeçari mbante postin e trajnerit të Sevillas prej korrikut të vitit 2019, ndërkohë që drejtoi kombëtaren e Spanjës dhe Realin e Madridit përpara nisjes së aventurës 3-vjeçare në Andaluzi, aty ku fitoi Europa League në vitin 2020.
“Kanë qenë tre vite historike, spektakolare”, u shpreh Lopetegui shkurtimisht pas shkarkimit. Sevilla po vuan në kampionat, aty ku numëron vetëm pesë pikë pas shtatë javëve të para, teksa në grupin G në Champions, numëron vetëm një pikë.
Drejtuesit e klubit kanë zgjedhur të rikthejnë Jorge Sampaolin në stolin e ekipit. 62-vjeçari argjentinas e ka drejtuar Sevillan edhe në periudhën korrik 2016-maj 2017 në 53 ndeshje, me një mesatare pikësh 1.75.
Sezonin e fundit, 62-vjeçari provoi një eksperiencë në Ligue 1 te Marseille, ndërkohë që më parë ka drejtuar edhe Kombëtaret e Argjentinës dhe Kilit.
