Istanbulspori fitoi 1-2 ndaj Eyusporit, duke siguruar garimin në duelet “play-off” për ngjitjen në elitë. Triumf i çmendur me përmbysje, takim ku Valon Ethemi dhuroi asistin e radhës.
Ish-lojtari i Kukësit, Eduard Rroca dhe Jetmir Topalli e nisën si titullarë ndeshjen për Istanbulsporin, ndërsa Kristal Abazaj e ndoqi gjithë sfidën nga pankina.
Golat ishin ruajtur për në minutat e fundit. Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 81-të, por Istanbulspori përmbysi gjithçka, edhe pse me dhjetë lojtarë.
Nigeriani Michael Ologo Inainfe barazoi shifrat (88’), Istanbulspori mbeti me një lojtar më pak pas daljes me të kuq të Muammer Sarikaya (90+2’), ndërsa goli i fitores erdhi në minutën e (90+8’).
Ekipi mik doli në kundërsulm, Ethemi iu shkëput mbrojtjes kundërshtare dhe në fund u tregua altruist, duke dhuruar asistin numër 8 në kampionat, që u kthye në gol nga Mehmet Yesil.