Darmstadt fitoi 1-2 në fushën e Paderbornit dhe tani renditet në vend të dytë në Bundesliga 2 me 21 pikë, tri më pak se Hamburgeri kryesues, që fitoi me të njëjtin rezultat në Hannover.
Klaus Gjasula mungonte për ekipin mik si pasojë e dëmtimit të pësuar në takimin Shqipëri-Islandë, ndërsa dardani Florent Muslija, autori i golit të parë dhe një asisti në suksesin 5-1 të Kosovës përballë Qipros, u fut në fushë për vendasit vetëm në minutën e 57’.
Minutat e para ishin drithëruese dhe plot emocione. Paderborni kaloi në avantazh në minutën e tretë me anë të Robert Leipertz, teksa humbi një shans të artë për të dyfishuar në minutën e shtatë, moment kur Marvin Pieringer humbi një penallti.
Darmstadt përfitoi dhe përmbysi gjithçka brenda 14 minutave. Ganezi Braydon Marvin Manu barazoi rezultatin në minutën e dhjetë, teksa Jannik Muller kaloi ekipin udhëtues në avantazh në minutën e 24’.
Në të dy golat e Darmstadtit ishte Tobias Kempe ai që dhuroi asistet. Ndeshja nuk prodhoi më gola dhe skuadra e Gjasulës siguroi një sukses fantastik përballë një rivali direkt në garën për t’u ngjitur në elitën e futbollit gjerman.
