Kategoria Superiore

Vierchowod zbulon arsyet që e sollën te Kamza

Në karrierën e tij si futbollist ka luajtur në nivele të larta me skuadra si Juventusi e Milani, ndërsa është shpallur edhe kampion bote me Italinë në 1982-shin, por sot profesioni i trajnerit e ka dërguar në Kamëz. Pietro Vierchowod zbulon arsyet që e shtytë t’i thoshte “po” propozimit të drejtuesve të Kamzës, për të drejtuar këtë skuadër në Kategorinë Superiore.

“Pranova ofertën e Kamzës sepse kisha dëshirë të rikthehesha të drejtoja një skuadër. Shqipëria është pranë Italisë dhe ky ishte një plus i madh, pasi nuk doja të shkoja larg. Studiova projektin që më parashtroi presidenti, më pëlqeu dhe pranova ofertën”, tregon Vierchowod.

Trajneri e ka një ide se si do të jetë Kamza e tij, një skuadër me mentalitet sulmues, që do të kërkojë t’i hapë punë çdo kundërshtari me synimin për të zhvilluar një kampionat sa më dinjitoz.

“Gjithmonë më ka pëlqyer të luaj me skemën 3-5-2, pra me 3 në mbrojtje, një mesfushë të populluar dhe dy lojtarë në sulm. Një skemë ofensive, megjithatë në futbollin modern duhet të sulmosh dhe të mbrohesh në grup. Duhet të bëjmë mirë, të kërkojmë të luftojmë me skuadrat kryesuese duke e mbajtur kokën lart dhe të zhvillojmë ndeshje të mëdha. Duam të zhvillojmë një kampionat dinjitoz”, deklaroi ai.

Drejtuesit e Kamzes deri më tani po zhvillojnë një merkato “nën rrogoz”, tekniku italian pret që disa lojtare nga sezoni i shkuar të qëndrojnë, por natyrisht do të ketë edhe ndërhyrje për të përforcuar skuadrën.

“Kam biseduar me drejtuesit dhe më është thënë që disa lojtarë do të qëndrojnë, ndërsa një pjesë do të largohen. Në këtë mënyrë me konsensusin tim do të marrim lojtarë që t’i përshtaten skemës tonë të lojës. Parimisht do të kërkojmë futbollistë që luajnë në Shqipëri, por nëse gjejmë ndonjë element edhe nga liga të tjera, atëherë akoma më mirë”, shprehet Vierchowod.

Kamza do të nisë stërvitjen në fillim të Korrikut dhe pritet që faza përgatitore të zhvillohet në Itali.

To Top