Ali Sowe është prezantuar zyrtarisht si lojtar i ri i Skënderbeut. Akordi për sulmuesin nga Gambia ishte arritur prej kohësh, firma në kontratë u hodh gjatë mesjavës së kaluar, por tashmë erdhi edhe formalizimi i superblerjes së verës. 23-vjeçari u prezantua në ambientet e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, në praninë e menaxherit të përgjithshëm të klubit, Gerhard Takaj. Sowe pozoi me fanellën e skuadrës, ndërsa do të mbajë numrin 90 në shpinë. Sulmuesi u transferua te Skënderbeu nga klubi i Chievos në Serinë A italiane, me formulën e huazimit për një vit, ndërsa korçarët kanë opsione për blerjen e kartonit të lojtarit, por edhe për të përfituar një përqindje nga shitja e tij e mundshme në fund të edicionit.
Ali Sowe është përforcimi i dytë i Skënderbeut në repartin ofensiv, aty ku më parë është afruar malazezi Goran Vujoviç. Sulmuesi nga Gambia i është bashkuar menjëherë ekipit nën urdhërat e trajnerit Daja, por nuk do të luajë në sfidën e kthimit ndaj Mlada Boleslav.
Drejtuesit e klubit vlerësuan se Sowe nuk është ende në formën optimale fizike dhe mund ti nevojitet pak kohë të ambientohet me skuadrës. Për këtë arsye, nuk e regjistruan te UEFA për sfidat e turit të tretë kualifikues të Europa League.
