Vllaznia punon pa pushim për merkaton. Nëse deri tani nga kuqeblutë është larguar thuajse një formacion, drejtuesit synojnë afrime që do të mund të mbajnë ekipin në grupin e skuadrave pretendente për sezonin e ri.
Deri më tani, nga shkodranët janë larguar lojtarë të rëndësishëm të sezonit të kaluar si: Bojan Zogovic, Dajan Shehi, Darko Bulatovic, Fjoart Jonuzi, Arsid Kruja, Herald Marku, Elvedin Heric, Kristijan Vulaj, Ardit Hoxhaj, Kaina Nunes dhe Liridon Latifi.
Ndërsa janë afruar plot gjashtë futbollistë si: Ildi Gruda, Darko Dodev, Kostantin Cheshmedijev, Eslit Sala, Milos Stojanovic dhe Redon Dragoshi.
Megjithatë, drejtuesit kuqeblu vijojnë të punojnë intensivisht dhe së fundmi janë në kontakte të vazhdueshme me futbollistë të afirmuar në futbollin tonë dhe që e njohin mjaft mirë kampionatin.
Emri i madh i mesfushës është Idriz Batha. Mesfushori 31-vjeçar sapo ka mbyllur bashkëpunimin me klubin rumun të Uta Arad dhe vlerësohet si një objektiv i denjë për mesfushën e Vllaznisë për sezonin e ri.
Në këtë repart nuk synohet vetëm ish-futbollisti i Partizanit dhe i Tiranës, por edhe Gjelbrim Taipi. 30-vjeçari u largua nga Kukësi pak javë më parë dhe është futbollist i lirë, ndaj dhe drejtuesit shkodran komunikojnë prej kohësh me mesfushorin për ta bërë të tyrin dhe për të rritur ndjeshëm në cilësi skuadrën.
Një objektiv mjaft i lakmuar për sulmin është Blerim Krasniqi. Në sezonin e fundit 26-vjeçari ishte pjesë e Miovenit, por nuk arriti të lërë shumë gjurmë, pasi në total realizoi vetëm dy gola.
Lexo edhe:
- Shtatorin e presim të relaksuar dhe me një “as nën mëngë”, dy fitore radhazi mungonin prej vitit 2021
- VIDEO/ Perla e Asllanit, goli i mesfushorit kuqezi në garë me yllin e Arsenalit
- Hidhet shorti i Conference League, skuadrat shqiptare mësojnë kundërshtarët e raundit të parë
- Tirana kujdes! Batumi pa shumë emër, por në super formë/ Kanë “trajtuar” pak kohë edhe Kvaratskhelian!
- Partizan, Bate nuk është ajo e para, ja si ka “rënë”! Të kuqtë shanse reale për kualifikim!
Si rrjedhojë, Vllaznia kërkon ta rikthejë në Superiore dhe ta ketë në dispozicion për Kupat e Europës, ku do të provojë të kalojë në turin e parë Lindfieldin nga Irlanda e Veriut.
Për portën ka disa emra, por më i lakuari është 21-vjeçari i Tomorrit Clement Boye, që spikati me paraqitjet në sezonin e fundit.
Klubi shkodran mbetet në trantativa të vazhdueshme me lojtarët dhe do të bëjë maksimumin për t’i bindur që të veshin fanellën kuqeblu dhe të përforcojnë ndjeshëm organikën pas largimeve të shumta nga skuadra.
Nga pasditja e së mërkurës, Vllaznia është zhvendosur në Medugorje të Bosnjës, ku do të zhvillojë fazën përgatitore, teksa kanë planifikuar dhe disa ndeshje miqësore.
