Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Vllazni e uritur, protagonistët japin “kushtrimin” dhe tregojnë objektivat

Pas një viti në “ferr”, elitës së futbollit shqiptar i kthehet një emër i madh, Vllaznia e Shkodrës. Kuqeblutë vijnë nga një periudhë tranzicioni, jo vetëm me rënien në Kategorinë e Parë, por edhe me probleme të mëdha menaxhimi, duke qenë se është ende në varësi të Bashkisë së Shkodrës. Situata politike ka ndikuar disi në formatimin e skuadrës, por drejtuesit e klubit kanë sfiduar vështirësitë, duke nisur nga puna. Administratori Suad Lici së bashku me drejtorin sportiv Engin Firat kanë konfirmuar së pari trajnerin e ri të kuqebluve dhe më pas lojtarët që do të mbajnë veshur fanellën e Vllaznisë. Një sfidë e vërtetë për një ish-kampion në fushë, që duket se kërkon të kthejë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të skuadrës së tij të zemrës.

Besoj pas një viti të vështirë, edhe pse u formuam me vonesë, them që skuadra nuk është në ritmin e duhur. Shpresoj që këtë sezon Vllaznia të jetë krejt tjetër me objektiva të qarta. Shpresojmë që ajo që po ndodh në Bashkinë e Shkodrës të mos ndikojë, pasi futbolli është i tëri i shkodranëve.

Detyra e parë ka qenë konfirmimi i trajnerit të ri, duke i besuar ish- timonierit të përfaqësueses maqedonase, Mirsad Jonuz. Numri një i stolit ka patur kërkesat e veta sa i përket grupit, ndërkohë që në pak ditë qëndrimi në Shkodër ka ndier ngrohtësinë që të dhuron ky qytet.

Suad Lici: Mendoj që të gjithë strukturat e klubit kanë qenë të kujdesshme. Nuk kemi patur preferenca, por kemi marrë lojtarë aty ku ka nevojë trajneri dhe skuadra.

Mirsad Jonuz: Njerëzit dhe qyteti janë shumë miqësor. Jetoj në qendër dhe jam këtu prej vetëm 10 ditësh duke qenë se ishim me fazë përgatitore. Është një eksperiencë e re dhe shumë e mirë. Vllaznia është një skuadër e madhe që ka fituar tituj dhe ka qenë në Europë. Do të ndërtoj një skuadër të re me një sistem të ri loje. I vetmi problem është që më duhet më shumë kohë për të punuar në aspektin taktik.

57-vjeçari është një nga shumë personazhet që ka përshkuar rrugën nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë për të vijuar karrierën. Ende pa zbritur në fushë, Jonuz tregon se ka njohuri për atë se çfarë e pret në aventurën e tij të re.

Është kampionat shumë i fortë me lojtarë të mirë, shumë ekipe luajnë në kundërsulm si Laçi. Më pëlqen të luaj futboll të hapur, për të kënaqur tifozët. Luaj për të shënuar sa më shumë gola. Për këtë mënyrë loje më nevojiten këta lojtarë që do të vijnë. Besoj që në këto 3 ndeshje do të marrim pikë.

I kam ndjekur lojtarët dhe mendoj se me  prurjet e reja jemi më të fortë. Presim lojtarë brazilianë si dhe një afrikan. Ramadani ka nisur të punojë me ekipin. Pas tri ndeshjeve të para do të kemi 15 ditë pushim dhe mendoj se në atë kohë do të kemi një skuadër shumë të mirë.

Duke qenë se ka filluar me vonesë përgatitjet, Vllaznia mund të vuajë disi gjendjen fizike në start, një problem i hasur në përgjithësi edhe te skuadrat më të mira. Megjithatë, në Shkodër janë të bindur se këtë sezon muzika do të jetë krejt ndryshe nga vitet e shkuara.

Suad Lici: E rëndësishme është të fillojmë javën e parë suksesshëm. Mendoj që pas javës së 3-të mund të shohim Vllazninë e vërtetë, pasi vijnë nga faza përgatitore. Do të bëjmë një kampionat të mirë, me skuadër cilësore dhe futboll që jemi mësuar ta shohim nga Vllaznia.

Mirsad Jonuz:

Normalisht që ka probleme kur vjen nga faza përgatitore, pasi lojtarët janë të ngarkuar. Nuk premtoj që do të fitoj kampionatin apo do të shkoj në Europë, por do të punojmë që të luajmë sa më mirë në ndeshjen e parë dhe të marrim pikë. Ne po punojmë që të ndërtojmë një skuadër për të gjithë sezonin dhe vetëm në fund do të shohim se çfarë ekipi kemi. Për mua e rëndësishme është që të kemi mbështetjen e tifozëve. Pas 6 muajve mund të flasim për punën time, tani po punojmë për të bërë një nisje të mirë dhe të ndërtojmë një skuadër të mirë.

Ndryshimin në skuadër e ka ndier edhe kapiteni Gilman Lika, që këtë vit duhet të bëjë liderin në fushën e lojës. 32-vjeçari jep opinionin e tij për Vllazninë e re.

Kanë ardhur shumë lojtarë dhe pothuajse është bërë një ekip i tërë. Presim të konsolidohet ekipi. Prej 20 ditësh kemi bërë stërvitje intensive. Erdhi kampionati dhe jemi gati.

Në ditët e fundit atmosfera në Shkodër është ndezur, me tifozët që kanë qëndruar pranë skuadrës për t’i mbështetur ata.

Si çdo shkodran e kam ndier shumë atë që ndodhi para dy ditësh. Në miqësore pamë që kishte shumë tifozë dhe Shkodra është e uritur pasi nuk e kishim vendin në Kategorinë e Parë. Në miqësore na mbështetën dhe Shkodra është gati për kampionatin.

Çdo skuadër ka objektiva sezonalë dhe nga ky rregull nuk bën përjashtim as Vllaznia.

Suad Lici: Ne kemi synim të hyjmë në kupat e Europës. Me trajnerin kemi qenë të qartë. Çdo lojtar është afruar sipas dëshirave të tij për të ndërtuar një skuadër siç ai e mendon. Nëse nuk arrijmë objektivat, atëherë do të ketë masa ndaj trajnerit.

Mirsad Jonuz: Do të luajmë ndeshje pas ndeshjeje dhe të shohim pasi kampionati është interesant me skuadra të forta. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një, pasi gjithçka ka ndryshuar te Vllaznia. Vjet ishin në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në Superiore është krejt ndryshe. Jam i kënaqur që nuk kemi patur dëmtime.

Shkodra është cilësuar si djepi i futbollit shqiptar dhe një nga skuadrat me mbështetjen më të madhe të publikut. Ekipi që futbollit shqiptar i ka dhënë tonin, po bëhet gati për një tjetër sezon që pritet të jetë shumë i egër.

Mirsad jonuz: Më pëlqejnë shumë tifozët e Vllaznisë dhe shpresoj të mbështesin jo trajnerin, por ekipin. Punojmë së bashku, marrim fitoret së bashku ashtu si dhe humbjet së bashku.

Gilman Lika: Nuk kam qejf të jap mesazhe. Kush e do Vllazninë me zemër, nuk ka nevojë për fjalët tona. Jam i bindur që janë të uritur për ta mbështetur Vllazninë.

Suad Lici: Mendoj që Tirana është organizuar më herët, shpresoj që të bëhet një garë e fortë dhe e ndershme dhe i uroj të gjithëve suksese.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...