Vllaznia dhe Florind Bardulla vazhdojnë bashkëpunimin. Mesfushori rinovoi kontratën me klubin shkodran, ku sipas marrëveshjes do të mbrojë ngjyrat kuqeblu edhe për dy vjet të tjerë. Bardulla bëhet lojtari i shtatë që rinovon kontratën me klubin gjatë kësaj vere, ndërsa më parë ishin Kalaja, Tafili, Marku, Gocaj, Pjeshka dhe Gurishta ata që vendosën të qëndronin në “Loro Boriçi”.
Marrëveshja e re me 24-vjeçarin është vazhdimësi e projektit të Vllaznisë për të ruajtur boshtin e ekipit të sezonit të kaluar, me lojtarët kryesorë që mbeten pjesë e projektit. Mbi të gjitha një skuadër e përbërë kryesisht nga futbollistë shkodranë. Këtë e konfirmojnë edhe dy përforcimet e mëdha të realizuara nga kuqeblutë, të cilët afruan dy mesfushorët Edon Hasani dhe Gilman Lika.
Ndërkohë, stafi teknik vijon të testojë edhe lojtarë të huaj, për të vlerësuar nëse këta elementë mund të jenë të vlefshëm për ekipin. Më i fundit në provë është mbrojtësi i qendrës, Amer Dubovac. Boshnjaku aktivizohet në një rol ku Vllaznia ka shumë nevojë për afrime cilësorë. Fati i tij do të jetë në dorën e trajnerit Cungut, që deri më tani i ka cilësuar të panevojshëm të gjithë lojtarët e testuar në Shkodër.
