Gilman Lika kthehet në shtëpi. Mesfushori është zyrtarisht i Vllaznisë, që komunikoi firmën për një vit me opsion edhe për vitin pasardhës me mesfushorin shkodran. Pas dy viteve te Tirana në këtë mënyrë Gilman Lika kthehet sërish në klubin ku u rrit futbollistikisht me skuadrat e akademisë për të nisur më pas karrierën si profesionist me skuadrën e parë të Vllaznisë nga 2004 deri në 2008 për të nisur më pas një tur jashtë vendit kryesisht në kampionatin turk.
30-vjecari konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për skuadrën e Armando Cungut ku deri më tani i është kushtuar rëndësi rinovimit të kontratave me një pjesë të futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar, ndërkohë që përforcimi tjetër i kësaj vere Edon Hasani debutoi me gol në miqësoren e luajtur me Lacin. Gilman Lika pritet të prezantohet para mediave këtë të premte ndërkohë që Vllaznia vijon punën për plotësimin e skuadrës që këtë verë ka pësuar disa largime, ai më i rëndësishmi i kapitenit Shtubina që iu bashkua para pak ditësh kampionëve të Kukësit.
