Kategoria Superiore

Vllaznia, starti i dytë më i dobët në 5 vjet

Vetëm një sukses në këtë kampionat dhe katër ndeshje radhazi pa fitore janë tregues i startit larg pritshmërive të sezonit nga Vllaznia. Dy barazime dhe dy humbje rikthyen hijet e edicioneve të fundit, ku shkodranët kanë luftuar deri në fund për mbijetesën.

Vetëm 5 pikë të grumbulluara, për një start edhe më të dobët se ai i sezonit të mëparshëm, ku në pesë javët e para “kuqeblutë” kishin grumbulluar 6 pikë.

Një vit më parë, barazimi pa gola me Korabin në shtëpi ishte sinjali i krizës, pasi duke nisur nga transferta e humbur 3-0 në Korçë në shtatë ndeshje Vllaznia regjistroi vetëm një fitore, më 23 Tetor përballë Teutës me golin e ish-mbrojtësit Endri Vrapi.

Sezonin e kaluar shkodranët e mbyllën në vendin e shtatë, duke kaluar nga ëndrra europiane në duelin direkt për mbijetesë me Tiranën, ku u mjaftoi një pikë për të qëndruar mes më të mirëve.

Më i dobëti në pesë sezonet e fundit ka qenë starti i kampionatit 2015-2016, me Vllazninë që nuk arriti të merrte asnjë pikë në pesë ndeshje. Në 12 javët e para të kampionatit shkodranët kishin fituar vetëm përballë debutuesve të Tërbunit (17/10/15 Tërbuni 0-3 Vllaznia) e pavarësisht se deri në mesin e fazës së dytë kishin grumbulluar vetëm 5 pikë, në fund e mbyllën në vendin e 6-të.

Më e mirë paraqitja në fillimin e edicionit 2014-2015, me 8 pikë të grumbulluara në 5 ndeshje, pas dy fitoreve dhe dy barazimeve, ndërsa nisja më e mirë e kampionatit është regjistruar pesë sezone më parë me 10 pikë të grumbulluara. Por, edhe në sezonin 2013-2014 Vllaznia e siguroi mbijetesën vetëm në fund, duke u renditur e 8-ta mes 12 skuadrave, ku katër ekipe ranë nga kategoria prej ndryshimit të skemës së kampionatit nga 12 në 10 ekipe.

Për të larguar hijet e së kaluarës, tani Vllaznia do të kërkojë të kthehet te fitorja prej transfertës me Kamzën. Suksesi do të vlente për klasifikimin, për të futur në krizë një rival direkt, por edhe për moralin, sepse në javët pasardhëse kalendari bëhet më i vështiri i mundshëm me duelet përballë tre pretendentëve për titull, Partizanin, Kukësin dhe Skënderbeun.

To Top