Skuadra e Vllaznisë U-19 ka dështuar të marrë rezultat pozitiv në takimin e parë ndaj moldavëve të Zimbru, të vlefshëm për gjysmëfinalet e Play off të UEFA Youth League, ose siç quhet ndryshe, Champions League për të rinjtë. Ekipi i drejtuar nga Luan Zmijani u mposht me rezultatin 3-1, duke ulur ndjeshëm shanset për kualifikim, në ndeshjen e kthimit.
Gjithsesi, trajneri i të rinjve shkodranë është optimist dhe premton se ekipi që ai drejton do të përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit. “Jemi shumë të zhgënjyer për rezultatin dhe për mënyrën se si i pësuam golat. Ne luajtëm si të barabartë në Moldavi, por nuk mundëm të jemi konkretë para portës. Gjithsesi, me aq sa pashë sot, mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që ta përmbysim këtë rezultat në ndeshjen e kthimit dhe të kualifikohemi”, u shpreh Zmijani.
Ndeshja e kthimit mes Vllaznisë U-19 dhe Zimbru Chisinau, do të luhet më 18 tetor, ora 15:00, në Shkodër, ku ekipit të Zmijanit do t’i duhet një mrekulli për të kaluar në finale.
