Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Vllaznia udhëton në Kamëz, Partizani pret Teutën, zbardhet kalendari i javës së 7

Kategoria Superiore do të rikthehet sërish këtë mesjavë me ndeshjet e javës së 7, që do të luhen të gjitha ditën e mërkurë në dy fasha orare, pasi 4 sfida do të zhvillohen në orën 13:45 dhe një në orën 16:45.

Kështu pas një humbjeje e tre barazimesh, Tirana do të udhëtojë drejt laçit me shpresën për të marrë fitoren e parë me Nevil Deden në pankinë, teksa përballë do të gjejë kurbinasit, që gjithashtu nuk po bëjnë shumë mirë këtë fillim sezoni.

Po në orën 13:45 do të luajë edhe Vllaznia kryesuese, që këtë herë do të përballet me Kastriotin, në “shtëpinë me qira” të krutanëve, stadiumin e Kamzës. Shkodranët e kanë nisur në mënyrë perfekte sezonin dhe do të kërkojnë suksesin e radhës, por Kastrioti është një “kockë e fortë” sidomos në shtëpi, ndaj do të jetë një përballje mjaft interesante.

Bylis nuk e ka provuar ende shijen e fitores këtë sezon dhe do të synojë “ta bëjë sefte” këtë mesjavë, kur të presë Kukësin në stadiumin “Adush Muça”. Mallakastriotët po vuajnë jo pak mungesën e një futbollisti që të shtyjë topin në rrjetë, ndërsa verilindorët kanë marrë tre fitore radhazi në kampionat dhe janë ngjitur lart në renditje, ndonëse loja nuk është ende bindëse.

Do të provojë fitoren e parë në kampionat edhe Apolonia, që do të presë në Fier një kundërshtar të madh në emër, por i mbushur me lojtarë të rinj e pa eksperiencë, Skënderbeun. Kjo është nga ato përballje ku të dy skuadrat duan të marrin maksimumin, për t’iu larguar zonës së ftohtë të renditjes, ndaj pritet një 90-minutësh i luftuar.

Në orën 16:45 vëmendja do të jetë te kryendeshja e javës, përballja mes Partizanit dhe Teutës. Kryeqytetasit po bëjnë mjaft mirë me Ilir Dajën në pankinë dhe janë shfaqur si një skuadër mjaft e konsoliduar, teksa pas dy golave të pësuar në javën e parë, i kanë vënë “drynin portës” në 5 sfidat në vijim.

Nga ana tjetër durrsakët kanë dalë hapur si pretendentë për titullin kampion, por në 6 javët e para kanë grumbulluar vetëm 8 pikë, duke fituar një ndeshje dhe barazuar 5 të tjerat. Pavarësisht emrave të mëdhenj në repartin e avancuar, Teuta po vuan jo pak në finalizim dhe kjo e ka penalizuar ndjeshëm në fushë skuadrën e Edi Martinit, që fitoren e vetme e ka pikërisht ndaj një skuadre kryeqytetase, Tiranës.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Serie A

Momente frike gjatë Udinese-Roma, ndeshje ku Evan Ndicka u rrëzua në fushë në minutën e 69-të pasi u ndje keq. Mbrojtësi nga Bregu i...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Bundesliga

Pritjes i erdhi fundi. Bayer Leverkusen është zyrtarisht kampion i Bundesliga-s, me skuadrën e Xabi Alonso-s që bëri detyrën edhe në sfidën e javës...