Erjon Vucaj një hap larg rikthimit në shtëpi, te Vllaznia. Mesfushori që luajti për pjesën e dytë të sezonit të kaluar me skuadrën e Lacit ku ishte një ndër protagonistët e realizimit të misionit për qëndrimin në Kategorinë Superiore ka arritur në parim akordin me drejtuesit e klubit kuqeblu për të luajtur në Loro Borici për sezonin e ardhshëm. Me marrëveshjen në parim të arritur për kohëzgjatjen dhe pagën, tashmë mbetet vetëm hedhja e firmave në kontratën e re dhe zyrtarizimi, veprime për të cilat nga ana e drejtuesve të Vllaznisë është kërkuar pak kohë, duke qenë se për shkak të statusit të klubit që është nën administrimin e Bashkisë cdo vendim duhet të marrë miratimin e bordit mbikëqyrës. Vucaj ndërkohë është një futbollist i mirëpritur nga publiku shkodran, jo vetëm si një djalë i shtëpisë por mbi të gjitha për aftësitë e tij në mesfushë duke spikatur si një lojtar cilësor në rolin e tij në këto vitet e fundit në Kategorinë Superiore. Me akordin total të arritur mes palëve, mbetet vetëm zyrtarizimi që Vucaj të rikthehet pas plot 10 vitesh aty ku e nisi futbollin profesionist në radhët e Vllaznisë.
