Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Wimbledon/ Djokovic kualifikohet me lehtësi, eliminohet e preferuara e vendasve

Novak Djokovic mundi australianin Thanasi Kokkinakis, duke siguruar një biletë për në 32 më të mirët e edicionit të 135 të turneut të Ëimbledon-it. Në Slam-in e famshëm londinez Nole nuk humbet një ndeshje që nga viti 2017, kur u mposht në fazën çerekfinale nga çeku Tomas Berdych. Sidoqoftë, numri 3 i botës respektoi parashikimet duke mundur thellë sportistin me origjinë helene. Kampioni në fuqi në All England Club e theu plot pesë herë në servis 26-vjeçarin nga Adelaide, duke mbyllur llogaritë në thjeshtë tre sete. Veterani nga Serbia përsëriti pra po të njëjtat shifra, ashtu si edhe në përballjen e vetme ndërmjet tyre, shtatë vjet më herët, kur në Roland Garros Djokovic fitoi pastër 3-0, duke marrë tre sete me rezultatin identik 6-4.

Nole e filloi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke i rrëmbyer shërbimet tenistit australian që në game-n e dytë të takimit. Djokovic humbi vetëm tre pikë gjithsej në tre game-t e para, për t’u shkëputur shpejt e shpejt në 3-0, gjithsesi tenisti i mirënjohur ballkanas nuk u mjaftua me aq por e ndëshkoi kundërshtarin e tij edhe në game-n e gjashtë, për të mbyllur setin hapës me rezultatin e thellë 6-1, në vetëm gjysmë ore lojë.

Seti i dytë rezultoi më i rivalizuari, megjithatë edhe në këtë rast Nole shfrytëzoi në maksimum epërsinë e game-t me break, që mori që në game-n e tretë të këtij seti. Në vazhdim pa u munduar shumë Djokovic administroi avantazhin e krijuar. Për hir të së vërtetës 6 herë fituesi i turneut të Ëimbledon-it mund ta kishte përfunduar më parë këtë set, por tenisti shtatlartë australian u mbrojt mirë, duke i anuluar plot katër mundësi për setin kampionit në fuqi, në game-n e nëntë.

Gjërat vetëm sa u shtynë për pak minuta, sepse në vijim Djokovic mbrojti me qetësi shërbimet e veta, për të fituar edhe setin e dytë me shifrat 6-4. Sikur të mos mjaftonte avantazhi i dy seteve numri 3 në rruzull e ndëshkoi me break tenistin me origjinë greke që në game-n hapës të setit të tretë. Novak e theu sërish në servis numrin 79 në planet në game-n e pestë për të fituar më pas edhe setin e tretë 6-2, duke mbyllur gjithë takimin në diçka më tepër se dy orë lojë. Në turin tjetër Nole do të ketë derbin serb me bashkëkombasin e tij Miomir Kecmanovic, të cilin e ka mundur dy herë në Beograd në 15 muajt e fundit. Kecmanovic renditet i 30 në botë për momentin në klasifikimin e përgjithshëm dhe përfaqëson një tenist që pak vite më parë ishte raketa e parë në rruzull në kategorinë e të rinjve, ku tenisti i talentuar ballkanas ia doli mbanë për të triumfuar në Orange Boël ndaj grekut Stefanos Tsitsipas dhe shkoi deri në finale në US Open, ku u mposht nga kanadezi Felix Auger – Aliassime.

Te femrat ditën e tretë bie në sy eliminimi i idhullit vendas Emma Raducanu. Tenistja britanike që vitin e kaluar fitoi në mënyrë sensacionale Slam-in Njujorkez këtë herë u mund që në raundin e dytë të Slam-it Londinez. Që nga triumfi në Flushing Meadows tenistja me origjinë rumune nuk i ka bërë më kurrë tre fitore bashkë dhe në fakt 19-vjeçarja e lindur në Toronto, që aktualisht mban numrin 11 në botë u mund bindshëm 6-3, 6-3, në më pak se një orë e gjysmë lojë nga francezja Caroline Garcia, që pozicionohet në vendin e 55 në klasifikimin WTA.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...