Sergino Dest me shumë mundësi i ka orët e numëruara në Barcelonë. Rinovimi i Sergi Roberto-s (edhe për një vit) dhe afrimi i mundshëm i Azpilicueta-s i kanë mbyllur hapësirat amerikanit për sezonin e ardhshëm.
Klubi katalanas ka nisur projektin për sezonin e ri dhe gjithashtu nuk kërkon të ketë “mbingarkesë” në organikë, që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikonin edhe në financat e klubit. Gjithsesi, për të nxjerrë mbrojtësin në merkato ka ndikuar edhe vendimi i teknikut Xavi, i cili ka dhënë “dritën jeshile” për shitjen e Dest. Xavi ka një plan të menduar mirë dhe krahu i djathtë do të mbulohej plotësisht nga afrimi i Azpilicueta-s, por edhe nga Roberto, e po ashtu edhe nga një rinovim i mundshëm i “veteranit” Dani Alves. Pikërisht këto alternativa pothuajse zerojnë shanset e amerikanit, i cili numëron 72 ndeshje dhe 3 gola me Barcelonën.
21-vjeçari është vendosur në dijeni për diçka të tillë dhe tani ka filluar të shqyrtojë ofertat. E fundit ishte ajo e Sevilla-s, me këta të fundit që u interesuan seriozisht edhe në merkaton e dimrit, por pa rezultat. Ky interes mund të ngjallet përsëri dhe rrugët mund të kryqëzohen, pasi katalanasit po ndjekin nga afër edhe “pistën” e mbrojtësit të Sevilla-s, Jules Kounde.
