Xavi: Lewandowski mund të vijë shumë shpejt, po negociojmë

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka folur për herë të parë për çështjen “Lewandowski”. Në konferencën për mediet përpara ndeshjes së fundit të këtij sezoni të La Ligas, atë kundër Villarreal, Xavi e tha publikisht se Barça ka nisur negociatat për transferimin e polakut, por theksoi se kjo gjë ka për të qenë e vështirë për shkak të kontratës që sulmuesi ka me klubin e Bayern Munich.
“Po, ekziston një mundësi që ai të vijë këtu. Lewandowski e tha vetë publikisht. Ka negociata, po nuk do të jetë e lehtë. Ai ka edhe një vit tjetër në kontratë me Bayern-in”-deklaroi tekniku.
33-vjeçari, që gjatë këtij sezoni të Bundesligas ka shënuar 35 gola dhe ka dhënë 4 asiste në 34 ndeshje, ka kontratë deri në verën e 2023-shit me kampionët e Gjermanisë, megjithatë sulmuesi e ka thënë hapur që dëshiron largimin që në këtë verë.
