Connect with us

Hi, what are you looking for?

MotoGP

Yamaha vendos, Rossi largohet në 2021-in

Yamaha largon Valentino Rossi-n. Pas 15 sezoneve me Yamaha-n Zyrtare drejtuesit e markës së famshme japoneze i mbyllën derën përfundimisht njërit prej pilotëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, italianit Valentino Rossi. Piloti legjendar numëron plot 7 tituj në Klasin Mbretëror, 4 prej të cilëve numri 46 i ka fituar pikërisht me motorin Yamaha, sidoqoftë vitet kalojnë edhe për të dhe Doktori që do të festojë 41-vjetorin e tij më datë 16 shkurt numëron vetëm një fitore në 65 garat e fundit në Moto GP. Triumfi i fundit i pilotit veteran në cilindratën më të lakmuar të kampionatit botëror të motociklizmit është regjistruar në qershorin e vitit 2017, në Cmimin e Madh të Holandës në Assen dhe që nga ajo kohë me motorin Yamaha Valentino Rossi nuk ka asnjë fitore në 46 garat e fundit të kësaj kategorie. Ditën e martë piloti që u rendit i treti në botërorin e kaluar, spanjolli Maverick Vinales rinovoi me ekipin nipon, sidoqoftë vetëm një ditë më pas drejtuesit e skuadrës japoneze Monster Energy Yamaha Moto GP firmosën për sezonin e ardhshëm gjithashtu edhe një kontratë 2-vjecare me pilotin e skuadrës satelite, francezin Fabio Quartararo, vendim që tregon qartë se për Valentinon në vitin 2021 nuk do të ketë më vend te Yamaha.

Pra me rinovimin e 25-vjecarit iberik dhe prenotimit të 20-vjecarit tepër të talentuar nga Bregu i Kaltër dyshja e këtij ekipi për vitin tjetër do të jetë pikërisht Vinales – Quartararo. Pra të dy pilotët e vitit 2021 të Yamaha-s kanë firmosur kontarta 2-vjecare me drejtuesit e skuadrës nipone, gjithsesi një vendim i pritshëm dhe plotësisht i kuptueshëm, nëse merret parasysh fakti që Rosi tashmë mundet në mënyrë sistematike nga cdo shok skuadre, madje vlen të theksohet gjithashtu fakti që në vitet 2010, 2012 e 2015 Jorge Lorenzo është shpallur kampion bote në Klasin Mbretëror duke patur motor të njëjtë dhe koleg te ekipi i famshëm japonez pikërisht Valentino Rosin. Mbetet kështu për t’u parë cfarë lloj roli do të ketë Doktori në sezonin e vitit 2021, pasi në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello sport” veterani pezarez qartësoi se nuk do të mërzitej qoftë edhe me një kalim te ekipi satelit i Yamaha-s Petronas, që për vitin 2020 ka konfirmuar dyshen Fabio Quartararo – Franco Morbidelli.

Alternativa tjetër është garimi me vëllanë Luca Marini te skuadra që zotëron Sky Racing Team, por gjithsesi në një komunikatë të vecantë të ekipit nipon është specifikuar që e ardhmja e Rosit do të vendoset në mesin e vitit 2020, kur edhe dy palët pra Valentino me drejtuesit e Yamaha-s do të ulen për të biseduar. Vetë drejtuesi i ekipit Lin Jarvis deklaroi se të gjithë janë të lumtur që një talent si Quartararo do t’i bashkohet projektit Yamaha Factory Racing për vitet 2021 e 2022. Jarvis përmendi rezultatet e shkëlqyera të edicionit të kaluar në Klasin Mbretëror ku piloti francez regjistroi 6 pole position dhe 7 podiume. Numri 1 i Yamaha-s kujtoi gjithashtu se kalimi i pilotit të ri nga Nisa nga skuadra e dytë Petronas te ekipi zyrtar i Yamaha-s përbën një hap logjik, duke patur parasysh aftësitë e vecanta si dhe talentin që shfaqi piloti francez gjatë sezonit të kaluar. Lin Jarvis është i bindur se me dy pilotë si Vinales dhe Quartararo skuadra do të bëjë përpara, madje numri 1 i Yamaha-s premtoi se stafi do të bëjë cmos për të zhvilluar sa më shumë që të jetë e mundur versionin YZR – M1, për të patur një motor sa më të mirë për kampionatin e 2021, vit kur edhe këta dy pilotë do të bashkojnë forcat te ekipi zyrtar.

Vetë piloti francez shprehu gëzimin dhe lumturinë për një zgjedhje të tillë dhe Quartararo premtoi se do të punojë me të gjitha forcat dhe do të japë maksimumin për të nderuar dhe respektuar sa më shumë që të jetë e mundur markën e famshme japoneze për besimin. Në edicionin e vitit të kaluar 20-vjecari francez me motorin satelit e mbylli kampionatin në vendin e pestë, në kuotën e 192 pikëve, dy pozicione më lart dhe me 18 pikë më shumë se sa vetë Valentino Rossi, që garoi me motorin zyrtar, madje Quartararo e përfundoi edicionin e kaluar me plot 5 vende të dyta, në një kohë kur Doktori e përfundoi vitin 2019 me vetëm dy gara të mbyllura në vendin e dytë, më saktë në fillimin e vitit kur Valentino u pozicionua radhazi në këtë vend si në Argjentinë ashtu edhe në Cmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara.

 

Lajme të tjera

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...

Champions League

Champions League do të nisë sezonin e ri me një formulë të re, teksa rrugëtimi do të startojë nga një grup i vetëm, me...

Kombëtare

Një humbje djeg gjithmonë edhe në miqësore, megjithatë ajo e Shqipërisë ndaj Suedisë mund të shihet me shumë nota pozitive. Të mposhtur me rezultatin...