Z Mobile Prishtina ka mposhtur skuadrën ukrainase, Cherkaski Mavpy në Vilnius të Lituanisë,për t’u kualifikuar në mesin e 16 skuadrave më të mira në FIBA Europe Cup. Bardhekaltrit nga Prishtina kanë zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer në Lituani, për të shënuar fitoren e tretë në kuadër të grupit E, triumf që u ka siguruar kryeqytetasve për herë të parë në histori të klubit, kalimin në fazën e dytë grupore në këtë garë.
Me një mbrojtje agresive, tranzicion të mirë dhe efikasitet të shkëlqyer nga loja, Z Mobile Prishtina i dominoi kampionët e Ukrainës në çdo aspekt të lojës, me vendasit që arritën të rezistojnë vetëm në dy fraksionet e para. Për lojën e mirë ekipore që bëri në këtë ndeshje skuadra e udhëhequr nga trajneri Damir Mulaomerovic, flet edhe shpërndarja e pikëve brenda ekipit, duke qenë se 6 basketbollistë e përfunduan takimin me shifra dyshifrore shënimi.
Megjithatë më efikasi ishte amerikani AJ Davis që realizoi 26 pikë duke qëlluar 5 nga 8 tentativat për 3 pikë. Z Mobile Prishtina do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të këtij grupi në FIBA Europe Cup. Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë më 13 Nëntor do të presë Steauan e Bukureshtit, kurse më 21 Nëntor do të jetë nikoqire e liderit të grupit Bakken Bears.