Conference League

Zarubica “lë zemrën mënjanë”: Do të kualifikohet Laçi, futbolli shqiptar po zhvillohet shumë

Për të dytin vit radhazi, shorti i Conference League e vendosi  Laçin përballë një skuadre malazeze. Kurbinasit do të luajnë në të njëjtin stadium të Podgoricës, “DG Arena”, por këtë herë si kundërshtar do të kenë Iskran, jo Podgorican.

Rezultati do të jetë i njëjtë, thotë sulmuesi malazes, Dejan Zarubica për “vijesti.me”. 12 muaj më parë, Laçi kaloi në raundin e dytë, megjithëse humbi 1-0 në sfidën e parë ndaj Podgoricës. Në takimin e kthimit, në “Elbasan Arena”, skuadra kurbinase, që drejtohej po nga Shpëtim Duro, fitoi 3-0.

Zarubica e ka veshur fanellën e Iskras për një gjysmë sezoni (2017/18). Ai thotë se i vjen keq që kjo skuadër do t’i thotë lamtumirë Evropës që në xhiron e parë.

“Kam luajtur për Iskran dhe ruaj disa kujtime të bukura. Dikush do të duhet të eliminohet, por nëse duhet zgjedh si lojtar profesionist, atëherë nuk ka sentimentalizëm, zgjedh Laçin,” – thotë Zarubica, i cili e njeh mirë kundërshtarin e ardhshëm. Ndeshja e parë do të luhet më 7 korrik, në Elbasan, e kthimit është shtatë ditë më vonë, në “DG Arena”, në Podgoricë.

Laçi, favorit: “Iskra ishte në rrethin e skuadrave që donin këtu si kundërshtar. E di që nuk do të jetë e lehtë, i njoh futbollistët e Iskras, por duam të shkojmë më tej, edhe pse nuk do të doja të flisja me kaq shumë siguri. Shpresojmë ta fillojmë mirë. Vjet u numdëm në ndeshjen e parë përballë Podgorciës, por tani luajmë në shtëpi dhe jam i sigurt se gjithçka do të jetë ndryshe. Shorti është shumë i favorshëm, më i favorshëm se sezoni i kaluar”, shton Zarubica.

12 muaj më parë Laçi arriti në raundin e 3-të në Conference League, një sukses i madh për këtë skuadër, e udhëhequr nga Zarubica, i cili shënoi golin e kualifikimit kundër Universitateas së Craiovas.

“Ne u eliminuam në raundin e 3-të nga Anderlechti dhe jam i sigurt se do të kishte qenë shumë më e vështirë për belgët nëse do të ishim të kompletuar. Na mungonin disa lojtarë dhe kur nuk keni të gjithë ekipin kundër skuadrave të tilla, atëherë diferencat janë të mëdha. Kam dhënë një pasim për gol kundër Podgoricës, shënova ndaj Universitateas, asistova në rastin e golit ndaj Anderlechtit. Uroj që diçka e tillë të më ndodhë përsëri, – tha sulmuesi 29-vjeçar, i cili gjithashtu pati një fillim fantastik të kampionatit shqiptar sezonin e të kaluar. Shënoi tetë gola, ishte golashënuesi më i mirë i Superiores, por u ndal nga një lëndim.

“Bëra një pushim për tre muaj, u ktheva në fund të sezonit dhe shënova dy gola të tjerë, por më e rëndësishmja është se arrita të rikuperohem. Kërkoj të arrij formën më të mirë përmes përgatitjeve, besoj se do ta gjej”.

Laçi duhet të kompletojë sa më parë skuadrën për sezonin e ri.

“Si gjithmonë, ka pasur largime, do të ketë prurje të reja, por sezoni ishte rraskapitës, ne luajtëm mbi 50 ndeshje. Në kampionat arritëm të dytët, si dhe luajtëm në finalen e Kupës”.

Zarubica do të qëndrojë të paktën edhe një sezon në Shqipëri.

“Kam edhe një vit kontratë dhe po e kaloj shumë mirë në Shqipëri. Superiore është e fortë, po përparon me shpejtësi sidomos në infrastrukturë. Është futur sistemi VAR dhe mendoj se do të bëhet gjithnjë e më e fortë”.

 

Eventet Sportive në SuperSport

Kliko për të komentuar

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency