Sikur të mos mjaftonte humbja ndaj Skënderbeut, Kukësi po e përgatit sfidën ndaj Lushnjës me mungesa të mëdha. Mladen Milinkovic ka marë lajme të këqija nga infermieria, pasi jo vetëm në sfidën ndaj “lagunarëve”, por për një kohë më të gjatë ka humbur dy lojtarë të rëndësishëm. Qendërmbrojtësi Ylli Shameti ende ndjen dhimbje në këmbën e djathtë, dhe rikthimi i tij në fushë mbetet i papërcaktuar. Gjirokastriti, që u largua nga fusha në sfidën me Lacin, nuk mundi të rikuperohej për duelin me Skënderbeun dhe tashmë rrezikon të mungojë për një periudhë akoma më të gjatë.
Këmba nuk i është përgjigjur dëshirës së 33-vjecarit, që duhet të presë akoma për t’u rikthyer i gatshëm nën urdhërat e trajnerit Milinkovic. Lajm i keq vjen edhe nga mesfushori Hair Zeqiri, i cili ka probleme në aduktorët e këmbës së djathtë dhe pritet të mungojë për një periudhë 3-javore. Mesfushori vlonjat vuante nga ky dëmtim edhe përpara sfidës me Partizanin, ku sakrifikoi për të qënë në fushë, një vendim që ka sjellë pasoja për kampionët. Megjithatë, në morinë e lajmeve të këqija, vjen dhe një i mirë për Kukësin. Elis Bakaj ka lënë pas dëmtimin për të qënë i gatshëm nën urdhërat e trajnerit.
