Maurizio Sarri është nga ata trajnerë që e adhuron lojën e bukur teksa nga skuadrat e tij, ndryshe edhe nga tradita e teknikëve të tjerë italianë, kërkon zotërimin e topit dhe krijimin e aksioneve logjike të cilat nisin nga prapavija. Edhe këtë sezon, Sarri po dhuron një futboll për t’u duartrokitur teksa me Lazion është autor i një starti të shkëlqyer në Serie A duke konkurruar deri më tani denjësisht edhe me klubet e mëdha të Italisë. Megjithatë, tekniku toskan së fundmi ankohet në lidhje me kalendarin e ngjeshur teksa thekson se me një total prej 60 apo 70 ndeshjesh në sezon, është e pamundur të shfaqesh i bukur në fushën e lojës.
“Futbolli duhet shpëtuar nga vetë protagonistët e lojës, apo institucionet e saj. Po shkojmë drejt një rruge e cila nuk të lejon të shfaqesh i bukur në fushën e lojës. Duke luajtur 60 apo 70 ndeshje në sezon, bën që lojtarët të stërviten më pak dhe të prodhojnë një futboll më pak spektakolar. Jemi në një moment ku sporti është kthyer në bisnes dhe më shumë rëndësi ka sipërfaqja se thelbi. Diçka e tillë është qesharake.
A janë imorale paratë që fitohen në futboll? Janë imorale, ashtu siç është edhe bota aktuale. Edhe një aktor fiton 30 milionë euro për një skenë imorale, por është i justifikuar. Unë e shoh si diçka të padrejtë, por është pjesë e botës në të cilën jetojmë. Unë zgjeh çiklizimin para futbollit, është një sport i vërtetë. Është shumë i lodhshëm dhe kërkon një pasion të vërtetë. Kam shumë respekt për ata që e praktikojnë këtë sport dhe kur e ndjek më dhuron një kënaqësi të madhe.
Kush është Sarri? Një person që kërkon të përmirësohet në çdo ditë, unë luaj me çdo modul loje dhe nuk e kam problem të ndryshoj. Nëse më kërkoni të përshkruaj veten time me një fjalë atëherë them një person që nuk ka frikë të ndryshoj, unë përshtas idetë e mia me lojtarët që kam në dispozicion”, përfundoi Sarri.
