Skualifikimi i Cristiano Ronaldos me 5 ndeshje nuk është pritur aspak mirë nga trajneri i Realit të Madridit Zinedine Zidane, i cili në konferencën për shtyp përpara El Clasicos së kthimit për Superkupën e Spanjës përdori tonet ashpra ndaj komisionit të disiplinës në ligën spanjolle të futbollit, kur u pyet për dënimin e yllit portugez.
“Jam i acaruar. Nuk dua të merrem me arbitrat, por kur shikon atë që ka ndodhur, të vjen keq. Të mendosh që Cristiano do ti mungojë skuadrës në 5 ndeshjet e ardhshme, këtu dicka po ndodh dhe jam shumë i mërzitur për këtë. E gjithë bota është e acaruar me vendimin që është marrë, sepse ai ka bërë shumë pak për të munguar për aq shumë kohë. Nuk dua të flas për episdonin e Suarez-it. Ajo që mund tiu them është se Ronaldo është i mërzitur sepse dëshiron dhe kur nuk luan ai nuk është i kënaqur”.
Krenar për skuadrën që ai drejton por në të njëjtën kohë, Zidane kërkon përqëndrim maksimal për sfidën e kthimit ndaj Barcës sepse pavarsisht fitores 3-1 në Camp Nou janë edhe 90 minuta të tjera për tu luajtur dhe sipas trajnerit francez Superkupa e Spanjës nuk është ende pronë e Los Blancos.
“Jam krenar për të gjitha ato që kemi arritur gjatë kësaj periudhe. Nuk ka qenë e lehtë për ne për të arritur në këtë pikë ku jemi sot. Kemi një skuadër shumë të talentuar, por të gjithë kanë bërë një punë të madhe. Në futboll asgjë nuk është e sigurtë. Është edhe një ndeshje e kthimit të cilën duhet ta luajmë mirë, sepse Barcelona është një skuadër e madhe dhe mund të na vendosë në vështirësi në cdo moment. Në ndeshjen e parë, ata krijuan shumë raste kështu që ne duhet ta luajmë këtë sfidë për ta fituar nëse duam të bëjmë tonin trofeun e Superkupës”.
