Merkato

Zikaltrit zbarkojnë nesër në Madrid, a do të kthehen me Modriç?

Stafi teknik, drejtues dhe futbollistët e Interit do të zbarkojnë paraditen e të premtes në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, ku do të zhvillojnë ndeshjen e fundit të International Champions Cup, përballë Atleticos në “Wanda Metropolitana”.

Me skuadrën do të udhëtojnë edhe mbrojtësi brazilian Miranda dhe mesfushori kroat Brozoviç që sapo ka rifilluar stërvitjen, por Spalletti kërkon të shohë gjendjen e tij fizike, një javë para fillimit të kampionatit italian.

Gjithsesi pavarësisht miqësores, ëndrra e të gjithë zikaltërve është që në Milano të rikthehen me një futbollist më shumë, yllin kroat të Realit të Madridit, Luka Modriç, për transferimin e të cilit po punojnë shumë menaxherë.

Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Modriç, por dëshira e lojtarit 33-vjeçar, që ka dhënë gjithçka për “Los Blancos”, nuk mund të injorohet.

Në Spanjë pritet me ankth takimi mes Modriç dhe Perez, dhe nëse kroati i konfirmon presidentit në sy dëshirën për t’u larguar, menjëherë do të nisë puna për të përcaktuar detajet e transferimit.

Kjo pasi Perez i kishte premtuar më herët kroatit se do ta linte të lirë, nëse Reali do të triumfonte në finalen e Kievit dhe për më tepër, numri 1 i madrilenëve e di mirë se nuk mund të mbajë një futbollist me zor në skuadër, aq më tepër te “galaktikët”, një ekip që admirohet nga shumë futbollistë të nivelit të lartë.

Ajo që dihet me siguri është që nesër do të jetë një ditë intensive për Modriç dhe Perez, ndërsa të shtunën në orën 21:00, të gjithë do të ndjekin ndeshjen mes Interit dhe Atleticos… Vetëm më pas do të mësohet nëse Interi do të kthehet me Modriç në Itali, apo kroati do të mbetet thjesht një “ëndërr e bukur verore”.

To Top