Zyrtare/ “Befasues progresi im”, Leverkusen rinovon me talentin gjerman

Rinovim shumë i rëndësishëm te Bayer Leverkusen, që sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e grupeve të Champions League. “Aspirinat” kanë blinduar një nga yjet e skuadrës.
Drejtuesit e klubit gjerman kanë gjetur akordin me Florian Wirtz, i cili ka firmosur kontratën e re që do e mbajë te Leverkusen deri në vitin 2027.
19-vjeçari, i cili shtatorin e vitit të kaluar debutoi me kombëtaren gjermane, e mbylli sezonin e fundit me 10 gola dhe 14 asiste.
Disa klube të njohura europiane kanë shfaqur interesin e tyre për mesfushorin ofensiv, por karriera e tij do të vazhdojë në Bundesliga.
“Shokët e skuadrës janë shkaku kryesor pse ndihem shumë rehat këtu dhe që gjithçka po më shkon mbarë.
Nga këndvështrimi im, zhvillimi në dy vitet e fundit ishte pothuajse befasues dhe sigurisht i paparashikueshëm në këtë formë.
Nuk mund të qëndroj pa falënderuar skuadrën për këtë gjë”, deklaroi Florian Wirtz, një nga talentet më të mëdhenj të futbollit gjerman.
