Një uruguajan për stolin e Luftëtarit. Klubi gjirokastrit ka zyrtarizuar pasuesin e Mladen Milinkovic, është Hebert Daniel Fernandez de Onofrio, shkurt Daniel Fernandez. 44 vjecari nga Montevideo që deri më tani e ka ushtruar profesionin në skuadra të vendit amerikano latin si Bella Vista e Montevideos, apo Atletiko Hurakan së fundmi ka qenë trajner i ekipit të të rinjve të Liverpulit, atij uruguajan dhe jo të kuqve të Anfield, kuptohet. Sipas burimeve nga klubi, trajneri Fernandez do të mbërrijë në Gjirokastër këtë të mërkurë kur do të kryhet dhe prezantimi dhe do të fillojë menjëherë punën me grupin e lojtarëve në dispozicion, te Luftëtari nuk ka kohë për të humbur.
Bashkë me trajnerin do të plotësohet edhe stafi teknik me Fernandez që do të marrë një ndihmës nga vendi i tij, ndërsa përgatitësi i ri atletik vjen nga Greqia. Te Luftëtari, Daniel Fernandez pritet të sjellë edhe elementë që i gjykon të vlefshëm për projektin e tij të ri në Gjirokastër. Me mbërritjen e tij kompletohen edhe stolat e sezonit të ardhshëm në Kategorinë Superiore ku në edicionin 2017-2018 bashkë me Fernandez bëhen 3 trajnerët e huaj me Kukësin dhe Partizanin që kanë angazhuar respektivisht Mladen Milinkovic dhe Mark Iulianon.
