Emiljano Vila është zyrtarisht lojtar i Skënderbeut. Klubi korçar njoftoi arritjen e marrëveshjes me mesfushorin 29-vjeçar, që i është bashkuar skuadrës në Antalia prej ditës së premte.
Ai bëhet afrimi i dytë në afatin e transferimeve të Janarit, pas sulmuesit Blerim Krasniqi. Pas akordit me administratorin e klubit, Gerhard Takaj, lojtari firmosi kontratën që e lidh për një vit e gjysmë me skuadrën e re.
Skënderbeu është stacioni i tetë në karrierën e mesfushorit dhe skuadra e katërt në kampionatin shqiptar pas Teutës, Dinamos dhe Partizanit. Më parë, ai ka luajtur edhe në Kroaci me Dinamon e Zagrebit dhe Lokomotivën e Zagrebit, në Greqi me Pas Giannina dhe në Azerbajxhan te Inter Baku.
Emiljano Vila u largua nga Partizani vetëm pak ditë më parë, pasi u la jashtë listës së skuadrës që udhëtoi drejt Antalias për mini-fazën përgatitore. Një okazion të cilin Skënderbeu e shfrytëzoi duke i shtuar klas dhe eksperiencë mesfushës, mbi të gjitha te zhvillimet në dalje në merkaton e klubit, ku mes yjeve që mund të shiten janë pikërisht dy mesfushorë qendre si Sabien Lilaj dhe Bakari Nimaga.