Kukësi ka zyrtarizuar afrimin e parë në merkato. Klubi verilindor ka prezantuar Kristi Koten, i cili ishte pjesë e Partizanit prej vitit 2018, duke shënuar një gol gjatë aventurës në kryeqytet.
23-vjeçari korçar aktivizohet në qendër të mesfushës, ndërkohë që ditën e sotme ka firmosur për dy vite me klubin e Kukësit.
Kote, i cili është aktivizuar me Shqipërinë U19 dhe U17, do të punojë përsëri me Skënder Gegën në stol, trajner me të cilin fitoi titullin kampion me Partizanin në sezonin 2018/2019.
“Futboll Klub Kukësi njofton se mesfushori Kristi Kote është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Mesfushori 23-vjeçar ka firmosur ditën e sotme me klubin një kontratë 2 vjeçare, duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër.
Mesfushori e njeh mirë kampionatin tonë pasi ishte pjesë e Partizanit në 4 sezonet e fundit, teksa tani do të jetë pjesë e ekipit tonë.
Klubi i Kukësit i uron mirëseardhje mesfushorit dhe shumë suksese me fanellën e skuadrës sonë. Mirë se vjen Kristi”, lexohet në postimin zyrtar të klubit të Superiores.
