Angel Di Maria do të largohet nga PSG pas shtatë viteve. Sulmuesi i krahut nuk rinovoi kontratën me kampionët e Francës, duke zgjedhur të largohet në fund të sezonit si lojtar i lirë.
I transferuar te kampionët francezë në verën e 2015-ës, sulmuesi anësor argjentinas kaloi plot 7 sezone me fanellën e PSG-së, duke fituar 18 tituj të ndryshëm dhe në të njëjtën kohë duke shkruar emrin në historinë e klubit si lojtari me më shumë asiste.
“PSG përshëndet Angel Di Maria pas shtatë sezoneve me fanellën tonë. Argjentinasi fitoi 18 trofe dhe u kthye në lojtarin me më shumë asiste në historinë e PSG-së”, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit kryeqytetas.
Gjatë këtyre 7 sezoneve, Di Maria numëron 294 ndeshje në të gjithë kompeticionet me PSG-në dhe 91 gola të shënuar, megjithatë drejtuesit e klubit francez nuk e panë të arsyeshme t’i ofrojnë rinovimin e kontratës.
Tashmë me 34 vite mbi supe, Di Maria duket i bindur që mund të luajë ende edhe për një apo dy sezone në Europë, para se të rikthehet në Argjentinë e të mbyllë karrierën, teksa pranë firmës me të janë pikërisht italianët e Juventusit.