Ashtu sikurse pritej, pasuesi i Ardien Memës në stolin e Tiranës do të jetë Julian Ahmataj. Presidenti Refik Halili ka vendosur t’ia besojë skuadrën ish-futbollistit bardheblu, që prej tre vitesh po ushtron edhe profesionit e trajnerit. Ahmataj fitoi balotazhin me Bledar Devollin, që gjithashtu ishte kandidat për këtë post.
40-vjeçari ka qenë në disa raste pranë bardhebluve, por vetëm në këtë moment u poqën kushtet për ta hedhur këtë hap. Elbasanasi do të ketë për detyrë ta kthejë Tiranën sa më parë te rezultatet pozitive, pasi sipas drejtuesve bardheblu ky ekip është ndërtuar për të patur objektiva madhorë.
Ahmataj fitoi simpatinë e opinionit sportiv në vend kur arriti të siguronte mbijetesën në krye të Kamzës, dy sezone më parë, por edhe për përvojën e tij në krye të Luftëtarit, sezonin e kaluar, pasi i mori gjirokastritët në një pozicion të vështirë, duke arritur me lehtësi objektivin mbijetesë.
Njoftimi i Tiranës:
“Julian Ahmataj është trajneri i ri i Tiranës. Tekniku 40-vjeçar ka nënshkruar kontratën sot pas marrëveshjes me presidentin Refik Halili. Ahmataj do të nisë menjëherë punën duke marrë drejtimin e skuadrës në seancën stërvitore të pasdites. Në të shkuarën, Ahmataj ka drejtuar disa skuadra ndërkohë që me Tiranën ka luajtur për dy sezone e gjysmë si futbollist. Klubi i Futbollit Tirana mirëpret afrimin e trajnerit të ri dhe i uron suksese në realizimin e objektivave sezonale.”