Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Tsitsipas eliminohet në mënyrë surprizë, Djokoviç mbetet favorit

Turneu i tenisit në Lojërat Olimpike të Tokios vazhdon të prodhojë surpriza të mëdha dhe radhën për t’i dhënë lamtumirën Olimpiadës së 32 këtë herë e pati vetë numri 4 i botës Stefanos Tsitsipas. Ditën e mërkurë në kryeqytetin nipon zbritën 16 tenistët e mbetur për takimet e fazës së 1/8 dhe kalendari e vuri sportistin grek përballë numrit 28 në rruzull, francezit Ugo Humbert. 23-vjecari nga Metzi i cili triumfoi në Halle pesë javë më herët, duke mposhtur në finale rusin Andrey Rublev kishte fituar ndeshjen e vetme ndërmjet këtyre dy tenistëve, nëntorin e kaluar në Mastersin Francez në Paris – Bercy.

Një sukses shumë i veçantë i siguruar afërsisht nëntë muaj më parë në tre sete tepër të rivalizuar me tie break, pas pothuajse tre orë e gjysmë lojë, ndërsa këtë radhë Ugo Humbert përmbysi disavantazhin e setit hapës për të regjistruar një fitore të madhe ndaj njërit prej favoritëve kryesorë për marrjen e medaljes së artë në këtë sport, në Olimpiadën e Tokios. 22-vjecari nga Athina zbriti në Arenën e Ariake Coliseum të Tokios me statusin e numrit 3 të turneut dhe në fakt tenisti helen e theu dy herë me break kundërshtarin e tij të radhës, për të fituar thellë setin e parë të takimit, në diçka më shumë se gjysmë ore lojë. Seti pasardhës vijoi i qetë dhe pa ngacmime, duke shtyrë llogaritë për në tie break, ku tenisti francez ruajti qetësinë dhe luajti më mirë. Fushat në tie break u ndërruan me rezultatin e barabartë 3-3, megjithatë në vazhdim Ugo Humbert mori 4 nga 5 pikët e radhës për të çuar ndeshjen në set final.

Seti përcaktues u dominua pothuajse gjatë gjithë kohës nga numri 28 në planet dhe në fakt pas humbjes së game-t hapës tenisti nga Metzi mori 6 nga 7 game-t e fundit të takimit, për të regjistruar një fitore të madhe me shifrat 2-6, 7-6, 6-2, në afërsisht dy orë e gjysmë lojë. Në pjesën e poshtme të shortit numri 14 i turneut Ugo Humbert do të masë forcat në fazën çerekfinale me rusin Karen Khachanov, që konsiderohet si raketa e 12 për nga fortësia në këtë aktivitet. Kështu numri 25 i botës mundi numrin 13 në glob, 28-vjeçarin argjentinas Diego Schwartzman me shifrat 6-1, 2-6, 6-1 në dy orë, duke barazuar në 2-2 rezultatin e përgjithshëm të sfidave ndërmjet tyre, në turnetë ATP. Po në këtë anë të shortit respektuan parashikimet gjithashtu edhe dy tenistët e tjerë, spanjolli Pablo Carreno Busta dhe tenisti rus Daniil Medvedev që aktualisht mban vendin e dytë në botë. 30-vjeçari asturian që pozicionohet i 11 në botë mundi në më pak se dy orë lojë 7-6, 6-3 numrin 59 në planet, gjermanin Dominik Koepfer, ndërsa 25-vjecari moskovit regjistroi fitoren e gjashtë në gjashtë sfidat e fundit ndaj italianit Fabio Fognini.

Numri 31 në rruzull shfrytëzoi vetëm 1 nga 8 mundësitë për break, ndërkohë në krahun tjetër Daniil Medvedev e theu në servis plot 4 herë 34-vjecarin nga Sanremo dhe kështu në raundin tjetër tenisti i dytë për nga fortësia në këtë kompeticion do të përballet pikërisht me sportistin iberik Pablo Carreno Busta. Nuk patën probleme gjithashtu në pjesën e sipërme të shortit as rivalët e tjerë dhe tenistët kryesorë të këtij krahu i fituan pa shumë vështirësi ndeshjet e tyre. Në këtë mënyrë Novak Djokovic favoriti absolut për të marrë medaljen e artë në singles dhe fituesi i tre turneve të mëdhenj Slam gjatë vitit 2021, në Melbourne, Paris dhe Wimbledon mundi bindshëm 6-3, 6-1 në më pak se një orë e gjysmë lojë 22-vjeçarin andaluzian Alejandro Davidovich Fokina, që renditet i 34 në planet, ndërsa idhulli vendas 31-vjeçari nipon Kei Nishikori që për momentin ka rrëshqitur në pozicionin e 69 në botë vuajti vetëm në setin hapës ndaj Ilya Ivashka-s, për të mbyllur më pas llogaritë me shifrat 7-6, 6-0, në një takim që zgjati për dy orë.

Interesant është fakti që gjatë setit të parë Nishi rekuperoi tre herë disavantazhin e një game me break, ndërsa në fund në tie break tenisti japonez i anuloi dy mundësi për setin 27-vjeçarit bjellorus. Përfundimisht në fazën tjetër Kei Nishikori do të sfidojë pikërisht numrin 1 të botës Novak Djokovic, ndërsa në duelin e fundit çerekfinal gjermani Alexander Zverev do të përballet me francezin Jeremy Chardy. Sascha mundi 6-4, 7-6 numrin 41 në rruzull, 29-vjeçarin gjeorgjian Nikoloz Basilashvili, ndërsa numri 68 në glob Jeremy Chardy pati nevojë për tre sete për të mposhtur tenistin britanik Liam Broady. 34-vjeçari francez e mundi 27-vjeçarin nga Stockporti, që mban aktualisht numrin 143 në planet me rezultatin 7-6, 4-6, 6-1 në 2h 37’ lojë, duke fituar praktikisht edhe ndeshjen më të gjatë të ditës.

Lajme të tjera

Kombëtare

Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer, teksa ka gjetur për të dytën javë radhazi rrugën e rrjetës. Sulmuesi kuqezi i dha epërsinë...

Gjermani

Ylli i Bayer Leverkusen-it, Florian Wirtz, nuk do të largohet nga kampionët e Gjermanisë këtë verë. Mediet gjermane bëjnë me dije se talenti 20-vjeçar...

Gjermani

Në ndeshjet miqësore të muajit mars ndaj Francës dhe Holandës, në kombëtaren e Gjermanisë bëri shumë përshtypje rikthimi i Toni Kroos. Por, një tjetër...

Bundesliga

Bayerni i Mynihut mundi 2-1 Eintrachtin e Frankfurtit këtë të shtunë me dygolëshin e Harry Kane, por lajmi kryesor ishte deklarata e Thomas Tuchelit,...