Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Nga java e barazimeve, te ajo e gabimeve, kur lojtarët “tradhtojnë” skuadrën e tyre

Nëse java e tretë ishte java e barazimeve, e katërta mund të quhet me plot gojë java e gabimeve. Thuajse të në të gjithë ndeshjet, futbollistët bënë gabime të rënda, ndonëse jo në çdo rast, pasojat u reflektuan në rezultat.

Duke nisur që nga derbi i të premtes në mbrëmje mes Dinamos dhe Partizanit, goli i bluve lindi pikërisht nga një dopio-gabim i Dajan Shehit, që fillimisht i dhuroi Mihanës një top dhe më pas lëvizi gabim, duke mos bllokuar nisjen e Ibraimit drejt portës së Hoxhës.

Megjithatë nuk mbaroi këtu, pasi në kampin blu, ai që gaboi këtë herë ishte mbrojtësi Sofranac. Malazezi 30-vjeçar bëri një ndërhyrje të pakujdesshme dhe tërësisht të panevojshme në sekondat e fundit të pjesës së parë, duke lënë skuadrën e Shkëmbit me një lojtar më pak gjatë gjithë 45-minutëshit të dytë.

Natyrisht gabimi i tij nuk ndikoi direkt në rezultat, por me një lojtar më pak, ishte e pamundur që të tjerët të ruanin portën të paprekur dhe ashtu ndodhi, pasi Partizani shënoi me një penallti të ekzekutuar saktë nga Stenio Junior.

Një tjetër gabim i rëndë ishte edhe ai i portierit të Egnatias, Bruno Puja, i cili komplikoi totalisht një ndeshje që ishte shndërruar në dishezë për rrogozhinasit. Me avantazhin e një goli dhe me një lojtar më shumë në fushë, Magani po priste që të tijtë të vulosnin rezultatin, por nuk i kishte bërë llogaritë me Pujën.

Ky i fundit kishte topin në duart e tij dhe e lëshoi për të provuar një rivënie të gjatë me këmbë, por kishte shumë pranë sulmuesin e Kastriotit, Ajazi, i cili i ndryshoi udhë sferës, duke e kthyer në rrjetën e portës së Egnatias.

Megjithëse nuk ndikoi në rezultat, pasi Egnatia shënoi golin e fitores në sekondat e fundit në shtesë, gabimi i Pujës është nga ata që duhet t’u tregohet të gjithë portierëve të rinj, për të mësuar se si nuk duhet të veprojnë në raste të ngjashme.

Ngeci sërish në barazim edhe Vllaznia, që nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola ndaj Skënderbeut, por mund të kishte marrë më shumë padyshim, nëse nuk do të kishte luajtur pjesën e dytë me një lojtar më pak, pas ndëshkimit me karton të kuq të Mevlan Adilit.

Qendërmbrojtësi është një lider i prapavijës së shkodranëve dhe një lojtar shumë I rëndësishëm, ndaj pavarësisht provokimeve shumë të rënda nga kampi korçar, duhej të kishte rezistuar dhe të ishte kthyer në dhomat e zhveshjes, për të mos lënë në baltë të tijtë.

Gabimet vendosën jo pak edhe në përballjen Tirana-Laçi, që në pamje të parë të jep idenë e një fitoreje bindëse të bardhebluve, por nuk ishte aspak e tillë deri në minutën e 53-të, kur Roganoviç devijoi në portën e tij një top që po kalonte rrezen e portës dhe po shkonte në një zonë ku nuk kishte asnjë kundërshtar.

Nëse anësori i kurbinasve do të kishte qenë më i vëmendshëm dhe do të kishte kontrolluar më herët me sy hapësirën pas shpinës së tij, atëherë nuk do të provonte të devijonte një top, të cilin nuk ia doli as ta prekë para tij sulmuesi bardheblu Redon Xhixha.

Pas këtij goli gjithçka u bë më e lehtë për Tiranën, që gjeti edhe golin e dytë, por ata që shënuan ishin sërish kurbinasit, këtë herë me kapitenin Ignjatovic, që devijoi në rrjetën e portës së Dajsinanit, një pasim të kthyer nga Totre në qendër të zonës.

Një nga ndeshjet me më shumë gola dhe padyshim më të bukura, ishte ajo mes Kukësit e Teutës në “Elbasan Arena”, që u fitua nga durrsakët me shifrat 2-3. Këtu më shumë se për gabime individuale, mund të diskutohet për gabime ekipore, megjithatë kartonët e kuq të Dajës dhe Taipit pak sekonda para vërshëllimës finale, ishin tërësisht të panevojshëm.

Java e pestë do të luhet pas dy javësh dhe deri atëherë, trajnerët do të duhet të punojnë shumë edhe në aspektin psikologjik të futbollistëve, për të rritur përqendrimin dhe për të shmangur gabime të tilla, që shpesh kushtëzojnë ndeshjen dhe vendosin ku do të harkojnë tre pikët.

Lajme të tjera

Bundesliga

Nëse ka një klub që gëzon më shumë për sukseset e Realit të Madridit, ai është Borussia e Dortmundit. Me titullin e La Ligas...

Kategoria Superiore

Pesë ndeshje pa fitore në kampionat dhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë në fazën gjysmëfinale, bënë që trajneri Qatip Osmani të mos arrijë të...

Serie A

Ish-trajneri i Milanit të madh të viteve ’90, Fabio Capello, është intervistuar nga “Gazzetta dello Sport” për të analizuar problemet e Milanit të këtij...

Angli

Pas fitores ndaj Brighton, trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola është pyetur ndër të tjera për formën e Phil Foden. Tekniku theksoi se Foden...