Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Tirana rifutet në garën për titull, Skënderbeu thellon krizën e Kukësit!

Tirana mundi 5-2 Apoloninë në Stadiumin Air Albania, duke ngushtuar në vetëm 5 pikë diferencën me kreun. Një sfidë e bukur që ofroi mundësi të shumta shënimi, sidoqoftë në fund kampionët në fuqi ia dolën mbanë për të përmbysur disavantazhin e pjesës së parë duke shënuar plot katër herë në fraksionin e dytë të lojës dhe Tirana u bë kështu skuadra e dytë në këtë edicion të kampionatit shqiptar që ia del për t’i fituar që të treja ndeshjet e para të këtij sezoni, ndaj ekipit fierak, pas klubit të Vllaznisë.

(15’) Mundësia e parë për t’u shënuar në këtë takim u regjistrua pas cerek ore lojë. Në mënyrë të pabesueshme Taulant Seferi krejtësisht i vetëm nga fare pranë portës gjuajti jashtë. (19’) Goli që zhbllokoi rezultatin u shënua vetëm pak minuta më vonë. Batha mori përsipër ekzekutimin e një goditjeje dënimi. Topi u devijua nga Rimal Haxhiu në murin mbrojtës, duke nxjerrë jashtë kohës portierin Romeo Harizaj. (26’) Pak caste pasi u mbush gjysma e pjesë së parë sulmuesi kroat Mario Vasilj u shkëput mirë në një pozicion tepër të dyshimtë dhe shërbeu në qendër për Levendin, që nuk e pati të vështirë për të barazuar shifrat.

(28’) Kaloi vetëm pak kohë dhe bardheblutë pretenduan për 11-metërsh, pas një rrëzimi të Grent Halilit por kryesori Orlando Kuka vazhdoi lojën. (38’) 10’ më vonë provoi Sota me kokë, priti pa shumë vështirësi portieri Visar Bekaj, (40’) ndërkohë pak momente më pas Skerdilajd Levendi tentoi nga larg, topi kaloi shumë pranë shtyllës. (41’) Në krahun tjetër provoi Seferi për Tiranën, por goditja e tij shkoi pa forcë në duart e Harizajt. (45+1’) Pikërisht në kohën shtesë Rimal Haxhiu kaloi në mënyrë të shkëlqyer në mesin e fushës si Torasën ashtu edhe Bathën dhe pasoi në hyrje të zonës, ku me tentativën e dytë realizoi për skuadrën fierake sërish Levendi.

(48’) 45’ i dytë filloi në mënyrë të kuptueshme me bardheblutë të hedhur të gjithë përpara, në kërkim të një goli të shpejtë, për të kërkuar më pas edhe përmbysjen e rezultatit. Seferi në shtyllën e parë devijoi topin, por portieri Harizaj i vëmendshëm largoi rrezikun. (51’) Pak caste më vonë Seferi përfitoi nga gabimet trashanike të mbrojtjes bardhjeshile dhe pas një këmbëngulje të gjatë shumë pranë vijës fundore 24-vjecari pasoi te Agustin Torassa, që nuk e pati aspak të vështirë për të shtyrë sferën në portën e zbrazur. (62’) Sapo u mbush një orë lojë, Cale me të djathtën me finesë nga brenda zonës nuk ia doli mbanë për të gjetur skajin më të largët të portës fierake, (63’) sidoqoftë vetëm pak sekonda më pas Ismajlgeci nga e majta ktheu topin në qendër dhe arbitri kryesor Kuka pas një lloj hezitimi bëri me shenjë për nga pika e bardhë, duke konsideruar si të parregullt ndërhyrjen e Ismaila Diop ndaj sulmuesit brazilian Elton Cale.

(65’) 11-metërshi i dytë në këtë sezon të Kategorisë Superiore për bardheblutë dhe nga pika e penalltisë kapiteni Batha mposhti portierin Romeo Harizaj, ndonëse 22-vjecari e kuptoi krahun por pa arritur ta ndalë dot topin. (77’) Më pak se cerek ore para fundit në kufijtë e zonës Marsel Ismajlgeci lëshoi një gjuajtje të fortë, që përfundoi në rrjetë. Gol që sigurisht qetësoi përfundimisht ekipin kryeqytetas. (83’) Ekipi i Tiranës vijoi në sulm, në kërkim të golave të tjerë dhe Taulant Seferi depërtoi nga e djathta duke shërbyer në qendër, ku nuk përfitoi askush, ndërsa më pas Cale gjuajti keq. (90’) Tim Vayrynen kërkoi golin nga një pozicion i prirët, (91’) ndërkaq sapo filloi koha shtesë 28-vjecari finlandez pasoi shkurt në zonë për brazilianin Elton Cale, që vulosi përfundimisht edhe rezultatin e këtij takimi me shifrat 5-2.

(92’) Në fund Mario Gjata pati mundësi për të zbutur përmasat e humbjes, por gjuajtja e tij me kokë përfundoi ngjitur me shtyllën. Fitorja e 5 në 6 takimet e fundit për kampionët në fuqi që pavarësisht luhatjeve të shumta 10 javë para përfundimit e ngushtojnë diferencën me vendin e parë në vetëm 5 pikë, ndërsa bardhjeshilët në krahun tjetër pas katër barazimeve rresht pësuan humbjen e dytë radhazi, duke u distancuar plot 5 pikë nga ekipi i Skënderbeut dhe tani klubi fierak ka vërtet nevojë për një mrekulli për të shmangur kthimin e menjëhershëm në Kategorinë e Parë.

Nuk ka fund kriza e Kukësit në këtë sezon. Jashtë çdo objektivi skuadra e Josës mund ta shohë veten papritur në garën për mbijetesë pasi u mposht edhe nga Skënderbeu i Migen Memellit në Elbasan Arena në një ndeshje të cilën Kukësi e dominoi për pjesën më të madhe të kohës por në fund doli pa asnjë pikë. Vijon momenti pozitiv për korçarët të cilët morën fitoren e 3-të në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit duke u ngjitur në kuotën e 22 pikëve, 4 më pak se Bylis i vendit të 8-të. Në këtë fitore të Skënderbeut një meritë të jashtëzakonshme e ka edhe portieri Dajsinani që evitoi disa gola të sigurt. Në Elbasan Arena sfida nisi menjëherë me rast për Kukësin por tentativa e Gashit nga distanca mori kundërpërgjigjen e Dajsinanit. Portieri i talentuar i korçarëve u shfaq në lartësinë e duhur edhe në minutën e 5-të kur ndali goditjen e Gashit i cili provoi nga një pozicion i prirët pas asistit perfekt që mori nga Ibraimi. Në të 23-tën u shfaq edhe Skënderbeu që me një kundërsulm të shpejtë pa portën e Kukësit por Elvi Berisha nuk shfrytëzoi pasimin që mori nga Mensah duke goditur shumë keq.

Në të 32-ën Mara provoi nga distanca por tentativa e tij u grushtua nga Tafa. Në të 34-ën fati nuk ishte me Kukësin pasi goditja me kokë e Eze shkoi ngjitur me shtyllën. Tjetër rast i shpërdoruar nga Kukësi në minutën e 40-të, me Eze që pas një rrotullimi të bukur në qëndër të zonës nuk gjeti dot kuadratin e portës. Në të 43-ën provoi edhe Agim Ibraimi por as tentative e tij nuk gjeti katërkëndshin e Dajsinanit. Pjesa e parë u mbyll me një tjetër tentativë të verilindorëve por penalltia në lëvizje e Ibraimit mori kundërpërgjigjen e Dajsinanit që përdori këmbët për të shmangur golin e Kukësit. Në pjesën e dytë ritmi i verilindorëve ra ndjeshëm me Skënderbeun që nisi të shikonte më shumë nga porta e Tafës. Në të 62-ën dalje e shpejtë e Skënderbeut nga e majta e sulmit por krosimi i Berishës nuk shkon në destinacion për Vangjelin por largohet nga një mbrojtës i Kukësit.

Në minutën e 71-të provoi skuadra e Josës por goditja me kokë e Eze nuk gjeti kuadratin. Ajo që nuk pritej ndodhi në minutën e 78-të me Skënderbeun që kaloi në avantazh. Pas një kombinimi shumë të bukur mes Mensah dhe Vangjelit sulmuesi ganez u shfaq i vetëm përballë Tafës duke e mposhtur me një goditje tokazi. 0-1 për Skënderbeun që ruajti avantazhin deri në fund duke marrë tre pikë të arta në garën për mbijetesë. Elbasan Arena po i sjell fat skuadrës së Memellit, që pas Partizanit mposhti edhe Kukësin dhe i ka të gjitha mundësitë për të tentuar shpëtimin, ndërkohë që Kukësi vazhdon të mos dalë nga tuneli i errët ku është futur.

Lajme të tjera

Kombëtare

Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer, teksa ka gjetur për të dytën javë radhazi rrugën e rrjetës. Sulmuesi kuqezi i dha epërsinë...

Gjermani

Ylli i Bayer Leverkusen-it, Florian Wirtz, nuk do të largohet nga kampionët e Gjermanisë këtë verë. Mediet gjermane bëjnë me dije se talenti 20-vjeçar...

Gjermani

Në ndeshjet miqësore të muajit mars ndaj Francës dhe Holandës, në kombëtaren e Gjermanisë bëri shumë përshtypje rikthimi i Toni Kroos. Por, një tjetër...

Bundesliga

Bayerni i Mynihut mundi 2-1 Eintrachtin e Frankfurtit këtë të shtunë me dygolëshin e Harry Kane, por lajmi kryesor ishte deklarata e Thomas Tuchelit,...