Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

Zhgënjimi në Nations League, fundi i epokës “Reja”, Asllani tek Interi…, pikante kuqezi gjatë 2022-shit

Shqipëria e vitit 2022 nuk la mbresa pozitive në rrugëtimin e saj në edicionin e tretë të Nations League. E shortuar në Grupin B së bashku me Izraelin, Islandën dhe Rusinë – kjo e fundit e përjashtuar nga UEFA për shkak të ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë – përfaqësuesja kuqezi e mbylli në vendin e tretë (praktikisht të fundit) me vetëm dy pikë, duke mos përmbushur pritshmëritë.

Aktiviteti i Kombëtares në vitin 2022 nisi me miqësoren me Spanjën më 26 mars, në Katalunjë, e humbur vetëm në minutat shtesë me rezultatin 2-1 (realizoi Uzuni për kuqezinjtë), ndërsa tri ditë më vonë erdhi barazimi pa gola me Gjeorgjinë, në “Air Albania”.

Rrugëtimi në Nations League

Në fillim të qershorit u luajtën dy ndeshjet e parë të Nations League përballë Islandës në transfertë (1-1) dhe Izraelit në “Air Albania” (1-2) si dhe miqësorja me Estoninë (0-0). Një start zhgënjyes, duke pasur parasysh faktin që në transfertën Islandeze kuqezinjtë nuk ruajtën dot epërsinë (Seferi 30’), ndërsa në Tiranë u përmbysën nga Izraeli 1-2, edhe pse takimi ishte zhbllokuar nga Broja me penallti në fundin e pjesës së parë. Kuqezinjtë, gjithsesi, ishin në lojë për vendin e parë, por në ndeshjet e shtatorit erdhi zhgënjimi i radhës me humbjen 2-1 në Izrael dhe barazimin 1-1 me Islandën. Pra, si konkluzion, dy barazime me Islandën dhe dy humbje me Izraelin, me vendin e fundit (duke mos marrë në konsideratë Rusinë e përjashtuar) të merituar.

Përfundon epoka e trajnerit Edy Reja

Që trajneri Edy Reja nuk kishte çfarë t’i jepte më Shqipërisë, u kuptua qartë me përfundimi e ndeshjeve të Nations League, megjithatë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, priti përfundimi e kontratës për t’u ndarë me italianin. 76-vjeçari i drejtoi kuqezinjtë edhe në dy miqësoret e muajit nëntor me Italinë, ndaj së cilës humbëm 1-3 në “Air Albania” dhe me Armeninë, që mposhtëm 2-0. Sfida e fundit me armenët shënon fitoren e vetme të kuqezinjve gjatë vitit 2022. Në tetor, në data jozyrtare, Shqipëria, e përbërë kryesisht nga lojtarë të kampionatit shqiptar, zhvilloi dy ndeshje miqësore me Arabinë Saudite (1-1) dhe Katarin (1-0).

Merkatoja e kuqezinjve, Broja te Chelsea, Asllani tek Interi

Transferimi i Kristjan Asllanit nga Empoli tek Interi për 14 milionë euro ishte pa dyshim një lajm sensacional për dashamirët e Kombëtares. Talenti 20-vjeçar me origjinë nga Elbasani iu bashkua një prej klubeve më të mëdha në Itali dhe Europë. Një lëvizje e bujshme për një lojtar kuqezi, që konsiderohet një talent i padiskutueshëm, pavarësisht se gjatë muajve të parë me fanellën zikaltër edhe nuk ka mundur të aktivizohet në vazhdimësi.

Një tjetër lajm i bujshëm ishte qëndrimi i Armando Brojës te Chelsea, pavarësisht aludimeve të shumta për një tjetër huazim në Premier League, pas përvojës mjaft pozitive të kaluar te Southmaptoni.

21-vjeçari, i aktivizuar si zëvendësues gjatë fazës së parë, u dëmtua rëndë në një ndeshje miqësore me Aston Villën, duke këputur ligamentet e gjurit, që do të thotë se ka humbur pjesën e mbetur të sezonit.

Kosova, e dyta në Nations League

3 fitore dhe po kaq humbje: ky ishte bilanci i Kosovës në edicionin e tretë në Nations League, por që i mjaftoi për t’u renditur në vendin e dytë (9 pikë) në Grupin 2 të Ligës C, pas Greqisë (15 pikë), duke lënë pas Irlandën e Veriut dhe Qipron.

Kosova e nisi me bujë vitin 2022 falë fitores së thellë 5-0 ndaj Burkina Fasos dhe barazimit 1-1 me Zvicrën (realizoi Milot Rashica) në Zyrih. Edhe starti i Nations League ishte mbresëlënës me fitoren 0-2 në fushën e Qipros më 2 qershor, por vetëm tri ditë më vonë dardanët humbën 0-1 në “Fadil Vokrri” ndaj Greqisë, rezultati që i uli mjaft shanset për vendin e parë. Më 9 qershor erdhi fitorja 3-2 me Irlandën e Veriut, që e pozicionoi direkt Kosovën në vendin e dytë. Në muajin shtator erdhën dy humbjet radhazi, 2-0 në Greqi dhe 2-1 në fushën e Irlandës së Veriut, megjithatë skuadra e drejtuar nga Alain Giresse e ruajti vendin e dytë falë fitores së thellë 5-1 me Qipron në “Fadil Vokrri”.

Përfaqësuesja e Kosovës e mbylli aktivitetin e saj gjatë vitit 2022 me dy ndeshje miqësore me Armeninë dhe Ishujt Faroe, të përfunduara përkatësisht 2-2 dhe 1-1.

 “Ylli” i Mallorcas, Vedat Muriqi, futbollisti i vitit në Kosovë

Në mbrëmjen gala të organizuar para festës së Krishtlindjes, Vedat Muriqi u nderua me çmimin e futbollistit të më të mirë Kosovar. Shtatlarti i lindur në Prizren u bë lajm gjatë merkatos së verës kur dështoi kalimi i tij në kampionatin belg në radhët e Club Brugge (u tha që nuk kishte kaluar testet fizike), për t’u rikthyer te Mallorca, aty ku kishte dhënë kontribut thelbësor për qëndrimin e ishullorëve në LaLiga (i huazuar nga Lazio).

Drejtuesi e Mallorcas bënë një sforco ekonomike për të blerë kartonin e Muriqit nga Lazio, por sigurisht që nuk janë penduar, pasi sulmuesi dardan është golashënuesi i tretë më i mirë i LaLigas me 8 gola, aq sa Inglesias (i dyti, me një asist më shumë se Muriqi) dhe pesë më pak se Robert Lewandowski.

 

 

 

 

Lajme të tjera

Kombëtare

Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer, teksa ka gjetur për të dytën javë radhazi rrugën e rrjetës. Sulmuesi kuqezi i dha epërsinë...

Futboll

Në emisionin “Elite Show” në Supersport u fol për derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit të fituar nga të kuqtë me shifrat 1-2....

Kategoria Superiore

Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar kalendarin e javëve të fundit nëvSuperiore. Duke nisur nga java e 34-të e deri...

Futboll

Rrufe në qiell të hapur. FC Struga Trim Lum ka njoftuar nëpërmjet një njoftimi të shkurtër ndarjen e bashkëpunimit me trajnerin Shpëtim Duro. Në...