Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

Debutoi me gol në Turqi, Papa: Zgjodha projektin, ëndërroj një ftesë nga Kombëtarja

Pas katër sezonesh të shkëlqyera me fanellën e rumunëve të Botosanit, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit, mesfushori Enriko Papa bëri një tjetër hap të rëndësishëm në karrierë këtë verë, duke u transferuar në ligën e parë turke, te klubi i njohur i Rizespor.

Debutimi ishte vërtetë për t’u mbajtur mend për mesfushorin 29-vjeçar, që shënoi golin e avantazhit të përkohshëm të Rizesporit, në ndeshjen ndaj Keciorengucu, ku luajnë edhe tre shqiptarë të tjerë si Bekim Balaj, Jurgen Bardhi dhe Uerdi Mara.

Në një intervistë për SuperSport, Enriko Papa rrëfeu arsyet që e bindën të transferohet në Turqi, objektivat e tij me klubin, por edhe ato personale, teksa nuk e fshehu dëshirën për të marrë një ftesë nga Kombëtarja Shqiptare.

Debutimi me gol tregon se jeni ambientuar më së miri në futbollin turk. Si është niveli aty krahasuar me kampionatin rumun?
Sot ka qenë një debutim mjaft i bukur, pasi shënova golin e parë me ekipin tim të ri, por për fat të keq nuk fituam dot, megjithatë ky barazim do të na bëjë më të fortë. Rumania ka një nivel mjaft të lartë, pasi ka investime dhe lojtarë cilësorë. Këtë e tregon edhe fakti që shumë skuadra janë në Play Off, apo shpesh luajnë në grupet e kompeticioneve si Europa e Conference League. Megjithatë këtu në ligën e parë turke investohet më shumë, ka infrastrukturë më të mirë dhe sigurisht pagesat janë shumë më të larta. Ato janë kryesoret, pasi me pagesa të mira, mund të sjellësh lojtarë më cilësorë.

Pse zgjodhët Rizesporin?
Të them të drejtën, para se të vij këtu kam pasur oferta të shumta, edhe nga klube të Superligës turke, apo arabe e nga Dubai, megjithatë projekti është më i rëndësishëm për këtë fazë të karrierës time. Kemi një trajner të njohur dhe një zv. trajner me origjinë shqiptare, i cili më foli gjatë për projektin dhe objektivat e klubit. Mund të kisha zgjedhur paratë padyshim, por zgjodha projektin, pasi kemi objektiv dhe shpresoj që sezonin tjetër të luajmë në Superligën turke.

Çfarë mbresash ju ka lënë skuadra e re dhe cilat janë objektivat për këtë sezon?
Më ka lënë mbresa shumë të mira, pasi është një ekip shumë i madh, me një qendër stërvitore fantastike, shumë të madhe, me katër fusha. Ka stadium të madh, hotele, sauna, salla rikuperimi, ekip të kualifikuar mjekësor, etj. Gjithçka është shumë profesionale. Objektivat e ekipit janë që të fitojmë Ligën e Parë dhe të ngjitemi në Superligë. Titulli kampion është objektivi primar, ndërsa objektivi minimal është të ngjitemi në Superligë, megjithatë duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë.

Debutuat dhe shënuar ndaj Keciorengucu, skuadër ku luajnë edhe tre shqiptarë të tjerë si Bekim Balaj, Jurgen Bardhi dhe Uerdi Mara. A i njihnit më parë ata dhe a patët mundësi të bisedonit para apo pas ndeshjes?
Po, ndenjëm para ndeshjes. I njihja pak nëpërmjet shokëve të përbashkët futbollistë. Ndenjëm rreth 20 minuta të katër në fushë, duke biseduar e bërë humor. U bë kohë e gjatë këtu që nuk flas shqip, ndaj mu bë qejfi shumë që i takova e bisedova me ta. Janë djem shumë të mirë që të tre dhe shpresoj shumë t’u ecë sa më smirë edhe atyre këtë sezon.

Në Kategorinë e Parë Turke ka disa lojtarë që janë pjesë e Kombëtares Shqiptare. A mendoni se ka ardhur koha që të vijë një ftesë edhe për Enriko Papën?
Po, e kam vënë re që ka shumë futbollistë këtu, që kanë shkuar të luajnë për Kombëtaren, ndaj shpresoj që të më vijë edhe mua mundësia. Do të jap maksimumin që të jem sa më në formë dhe nëse do të duhet që të jem aty, do të vij me gjithë zemër e qejf.

Po gjatë kohës që luanit me Botosanin, a jeni kontaktuar nga ndonjë pjesëtar i stafit të Kombëtares apo zyrtar i FSHF-së?
Kam qenë katër vite te Botosani, duke bërë performancë shumë të mirë dhe mbajta edhe shiritin e kapitenit. Kemi çuar ekipin në Europë dhe kemi shkuar tre herë në Play Off, diçka historike për skuadrën. Performancat e mia kanë qenë shumë të mira, por fatkeqësisht nuk kam pasur asnjë komunikim. Nuk i di arsyet, por askush nuk më ka kontaktuar, apo të vijë në stadium për të parë qoftë edhe një ndeshje, pasi përveç meje ishte edhe Realdo Fili, i cili gjithashtu po bënte shumë mirë. Askush nuk na ka thënë se jeni nën vëzhgim, apo jeni në plane. Kur dikush është kapiten në një ligë tjetër dhe ekipi bën mirë, mendoj se duhej të merreshim në konsideratë, qoftë edhe duke ardhur të na shihnin në ndonjë ndeshje. Ekipi Kombëtar është i të gjithëve dhe unë mendoj se duhet të thirren ata që janë më në formë për të ndihmuar ekipin, jo ata që kanë menaxher më të njohur, apo lidhje më të forta. Në Kombëtare luan vetëm për shtetin tënd e flamurin, ndaj aty nuk mendon për asgjë tjetër, vetëm të përfaqësosh sa më denjësisht fanellën. Kam pritur shumë që dikush të vinte të më shikonte, pasi kam qenë lider i ekipit në Rumani, gjë që pakkush e ka arritur. E habitshme ishte që emri im përflitej për t’u grumbulluar nga përfaqësuesja rumune dhe nuk më kontaktonte askush nga Shqipëria. Megjithatë e rëndësishme është të jemi sa më në formë, pasi herët a vonë besoj se do të vijë edhe mundësia ime. Shpresoj vetëm të jem mirë dhe të punoj fort.

Lajme të tjera

Bundesliga

Nëse ka një klub që gëzon më shumë për sukseset e Realit të Madridit, ai është Borussia e Dortmundit. Me titullin e La Ligas...

Angli

Pas fitores ndaj Brighton, trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola është pyetur ndër të tjera për formën e Phil Foden. Tekniku theksoi se Foden...

Kategoria Superiore

Pesë ndeshje pa fitore në kampionat dhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë në fazën gjysmëfinale, bënë që trajneri Qatip Osmani të mos arrijë të...

Serie A

Ish-trajneri i Milanit të madh të viteve ’90, Fabio Capello, është intervistuar nga “Gazzetta dello Sport” për të analizuar problemet e Milanit të këtij...