Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Sormani: Derbi na komplikoi punën, por duhet të shohim përpara

Pas humbjes së thellë në derbi, Partizani do të provojë të reagojë nesër pasdite në “Selman Stërmasi”, ku do të presë skuadrën e Teutës, ndërsa trajneri Adolfo Sormani doli sot në konferencën për shtyp, ku theksoi se skuadra duhet të shohë përpara.

Si është situata në skuadër, pas asaj humbje të thellë në derbi?
Është një situatë ku duhet ta marrim veten shpejt pas një humbje të rëndë. Sipas meje nuk është ajo vlera që ishte në fushë, por kemi marrë një shuplakë të rëndë. Megjithatë futbolli është kështu dhe duhet ta pranojmë e duhet të shikojmë përpara.

Çfarë do të vlerësoni si pozitive në derbi?
Të luash për afro 75 minuta me 10 lojtarë dhe të jesh 10 me 1 me goditje këndi, mendoj se është diçka pozitive. Skuadra bëri një paraqitje të mirë dhe dha gjithçka në fushën e lojës.

Sa janë komplikuar shanset e Partizanit për titullin? A qëndron më ky objektiv?
Sigurisht që humbja në derbi ka qenë një goditje e rëndë për sa i përket objektivit për fillimin e titullit kampion. Detyra jonë kundrejt klubit dhe tifozëve do të jetë të luajmë deri në momentin e fundit dhe të japim gjithçka për të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat.

Çfarë po ndodh me Partizanin në fazën mbrojtëse? Shkakton autogola dhe bën gabime shumë të thjeshta…
Nëse do të kisha një përgjigje, nuk do t’i bënim ato gabime. Jam dakord me këtë konstatim. Për sa i përket golave të pësuara ne kemi gabimet tona, pavarësisht asaj që prodhojnë kundërshtarët.

Sa e vështirë është ndeshja me Teutën?
Së pari, është një ndeshje e vështirë, si të gjitha ndeshjet e tjera që ne do të luajmë. Së dyti, ne vijmë nga një humbje në derbi që mund të ketë ndikuar në aspektin psikologjik, dhe së treti, Teuta është një skuadër mjaft agresive dhe dinamike, ka lojtarë cilësorë në gjirin e saj. Do të jetë një ndeshje e luftuar.

Pritet ndonjë ndryshim në formacion në krahasim me derbin?
Do të shikojmë gjendjen e lojtarëve dhe të grupit në tërësi, por mendoj që duhet të jemi konkretë dhe efikasë në rastet që do të na paraqiten, për ta mbyllur takimin në favorin tonë.

Do t’i besoni sulmin Brown-it si në derbi?
Më vjen keq për Brown, që luajti vetëm 18 minuta, por ishte një zëvendësim i detyruar. Në ato 18 minuta ai bëri një paraqitje mjaftë pozitive. Duhet të zgjidhja mes tij dhe Bardhit, duke parë që Bardhi është më dinamik dhe ka një tjetër profil në fushën e lojës, duke vrapuar shumë, u detyrova të nxirrja Brown-in.

A është Telushi në 100% të kapacitetit fizik?
Sot Telushi ka zhvilluar një stërvitje mjaft të mirë, bashkë me pjesën tjetër të skuadrës, megjithatë ditën e nesërme do të konfirmohet gjendja e tij, nëse do të jetë i gatshëm për të luajtur.

Po gjendja e Trashit si është?
Ditën e djeshme ka filluar përgatitjet në palestër. Vjen pas një dëmtimi tepër të rëndë dhe për momentin ai është nën vëzhgimin e përgatitësit atletik, nga i cili do të ndiqet hap pas hapi. Po punojmë shumë që Trashi të mos humbasë kondicionin fizik, teksa në momentin që do të rikthehet, të jetë në të njëjtin nivel siç edhe ka qenë.

I druheni gjykimit ndaj Teutës?
Nuk flas më për arbitra. Nëse më pyesni për futboll atëherë flas për futbollin.

Kalimi nga “Air Albania” në “Selman Stermasi”, është zgjedhje sepse në stadiumin e ri nuk ka fituar asnjëherë Partizani?
Nëse do ishim supersticiozë, atëherë me shumë mundësi po. Shpresoj pra që supersticioni të na bëjë mirë.

Jeni i kënaqur me performancën e Malës?
Po punon mirë. Nuk është në më të mirën e tij, por ka një fizik të lehtë dhe nuk është një lojtar që ka nevojë për shumë kohë. Kështu, shpresoj që në pak kohë të jetë në gjendje optimale.

Dy trajnerët që kanë humbur derbin më parë janë larguar, ndërsa Sormani qëndron. A do të thotë që keni projekt afatgjatë?
Po e sqaroj edhe njëherë. Presidenti e di që kur nuk është i kënaqur nga mua mjafton të ma thotë edhe unë i falënderoj të gjithë. Por nëse ka zëra për punën e skuadrës, askush nuk mund ta vejë në diskutim atë që skuadra po shfaq. Jemi duke zhvilluar ndeshje mjaft të mira. Jam këtu sepse presidenti Demi ka një vizion të tjetër, më largpamës. Kjo përforcohet edhe më shumë nga ndërtimi i stadiumit të ri. Mendoj që kjo tregon planet afatgjata dhe objektivat që Demi ka në krye të Partizanit.

Lajme të tjera

Angli

Pas fitores ndaj Brighton, trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola është pyetur ndër të tjera për formën e Phil Foden. Tekniku theksoi se Foden...

Kategoria Superiore

Sot është dita e Thomas Brdaric. 49-vjeçari gjerman me origjinë kroate, do të nisë aventurën e dytë si trajneri i Vllaznisë, duke zëvendësuar në...

Bundesliga

Bayern Munich dhe Thomas Tuchel do të ndajnë rrugët me të përfunduar sezoni aktual. Pas shumë refuzimesh si nga Xabi Alonso, Nagelsmann e deri...

Futboll

Stefano Pioli po kalon javët e fundit të eksperiencës së tij te Milani, pasi rrugët mes palëve do të ndahen në fund të këtij...