Barcelona e mbylli me fitoren sezonin, duke mposhtur 1-0 në “Camp Nou” Real Sociedadin me një gol të mrekullueshëm të Coutinhos në pjesën e dytë, në atë që ishte sfida e fundit e Andres Iniestës me fanellën “blaugrana”.
93 pikë të grumbulluar nga katalanët, me një golaverazh 99 gola të shënuar dhe 29 të pësuar.
Pas vërshëllimës së fundit të kryesorit futbollistët dhe stafi i Barcelonës u futën në dhomat e zhveshjes, për të nisur më pas festën e titullit, ku hapësira kryesore ishte rezervuar për lamtumirën e Iniestës.
Fillimisht lojtarët dolën në fushë një e nga një, të gjithë mbanin veshur fanellë me numër 8 . Nderin për të ngritur i pari trofeun e kampionit e pati pikërisht Andres Iniesta.
“Mirëmbrëma të gjithëve. Është një ditë e vështirë, janë 22 vite të mrekullueshme. Ka qenë nder që kam përfaqësuar këtë fanellë, që për mua është më e mira në botë. Faleminderit të gjithë shokëve të mi dhe të gjithë tifozëve për gjithë mbështjen dhe respektin ndaj meje. Tani jam 34 vjeç dhe mund të them se këtu erdha fëmijë dhe u bëra burrë. Këtë javë kam mbetur pa fjalë. Rroftë Barça, rroftë Katalunja!”
Ishin këto fjalët e Andres Iniestës, para se lojtarët e Barcelonës ta mbanin në krahë.