Ashtu siç edhe pritej të ndodhte, pas sfidës gjysmëfinale mes Francës dhe Marokut, trazirat pushtuan rrugët në Francë. Përplasje mes marokenëve pati në tre qytete të ndryshme, Paris, Nice dhe Montpellier. Padyshim ngjarja më tragjike u shkaktua në Montpellier, aty ku një djalosh 14-vjeçar humbi jetën.
Adoleshenti ishte në turmën e marokenëve të cilët në momentin që panë një makinë me flamur francez, e rrethuan atë për t’ia marrë. Por, shoferi i gjendur në panik, kërkoi të largohej dhe në këtë moment përplasi djaloshin. Impakti ishte tragjik për 14-vjeçarin që mbeti viktimë e rrëmujave për një ndeshje që në fushë rezultoi “Fair-Play”.
Nga ana tjetër, në Paris dhe Nice, policia gjithashtu e pati të vështirë të kontrollonte turmën e tifozëve dhe i shpërndau vetëm duke përdorur forcën dhe gazin lotsjellës.
