Connect with us

Hi, what are you looking for?

Futboll

Bayern fiton gjithçka në 2020-ën, Sevilla konfirmohet “mbretëresha” e Europa League

Ashtu si në çdo fushë të jetës, pandemia ndryshoi shumë gjëra edhe në futboll gjatë vitit 2020, teksa “topi nuk lëvizi fare” për një periudhë disa javore dhe më pas skuadrat u detyruan të luajnë me një kalendar shumë intensiv për të mbyllur me sukses sezonin. Ky vit u dominua totalisht nga gjermanët e Bayern Munich, të cilët fituan të gjithë trofetë ku konkurruan, ndërsa Sevilla konfirmoi veten si “mbretëresha” e Europa Leagues dhe Juventus konfirmoi dominimin në kampionatin italian. Më poshtë janë fituesit e kompeticioneve më të rëndësishme në Europë:

Liverpool fiton titullin kampion në Angli pas 30 vitesh
Pas 3 dekadash Liverpooli arriti të triumfonte sërish në Premier League. Edicioni 2019-2020 u dominua nga skuadra e Jurgen Klopp që e mbylli kampionatin anglez në vendin e parë me 99 pikë në total, plot 18 më shumë se Manchester City i vendit të dytë. Për të festuar titullin e 29-të kampion në historinë e klubit dhe të parin pas 30 vitesh ,tifozët e Liverpoolit thyen rregullat e higjienës ndaj COVID-19, duke dalë e festuar në rrugët e qytetit. Përsa i përket dy Kupave që luhen në Angli, FA Cup u fitua nga Arsenali që mposhti në finale Chelsean ndërkohë që Manchester City triumfoi në EFL Cup.

Juventus vijon dominimin në kampionatin italian, fiton titullin e 9 radhazi
Në Serie A, Juventusi fitoi titullin e 9 kampion radhazi teksa la pas me vetëm 1 pikë në renditje Interin e Contes ndërsa një kampionat të mirë bënë edhe Atalanta e Lazio që u renditën respektivisht në vendet 3 dhe 4. Bardhezinjtë u shpallën matematikisht kampion të Italisë dy javë para fundit të sezonit. Në Kupën e Italisë triumfoi Napoli që mposhti në finalen e madhe pikërisht Juventusin.

Reali i Madridit triumfon në Spanjë, fiton titullin e 34-t
Në La Liga 2020-ta ishte viti i Realit të Madridit. Los Blancos fituan për herë të 34-t në historinë e tyre titullin kampion, pas triumfit ndaj Villarealit me shifrat 2-1 në 16 korrik. Skuadra e Zidane e mbylli kampionatin me 87 pikë, 5 më shumë se Barcelona e vendit të dytë. Përsa i përket Kupës së Mbretit në finale shkuan dy skuadrat baske Real Sociedad dhe Athletic Bilbao por finalja është shtyrë për në vitin 2021, pasi këto dy ekipe duan që ajo të luhet me tifozë.

Bayern pa rivalë në Bundesligë, kompleton një sezon perfekt
Në Bundesliga, Bayern Munich nuk kishte rivalë edhe në sezonin 2019-2020 duke fituar titullin e 8-të kampion rresht një rekord absolut ky për futbollin gjerman. Falë edhe 34 golave të Robert Lewandowskit, krye-golashënuesit të kampionatit, skuadra e Hansi Flick la pas Dortmundin dhe Leipzigun me plot 13 pikë diferencë nga verdhezinjtë e vendit të dytë. Bayerni triumfoi edhe në Kupën e Gjermanisë teksa mposhti 4-2 Bayer Leverkusen në finalen e Berlinit edhe këtu për meritë të Lewandowskit që realizoi dy herë. Në Kupën e Gjermanisë ky ishte suksesi i 20-të në histori për Bayern Munich.

Pandemia ndërpret Ligue 1, PSG fiton titullin kampion
Ashtu si shumë liga të tjera në bot, edhe kampionati francez u ndërpre në muajin mars për shkak të pandemisë, por ndryshe nga ligat e mëdha europiane, Ligue 1 nuk rifilloi më. Autoritetet shtetërore dhe ato sportive vendosën që kampionati të ndërpritet përfundimisht dhe për verdiktet e sezonit të merrej për bazë renditja provizore. Kështu Paris Saint Germain, që kryesonte renditjen me 12 pikë më tepër se ndjekësja më e afërt, fitoi titullin kampion, ndonëse nuk munguan polemikat për zonën e kupave europiane.

Bayern Munich “pushton” Europën
Viti 2020 i buzëqeshi në çdo aspekt Bayern Munich. Bavarezët nën drejtimin e Hansi Flick arritën suksesin e 3-fishtë duke kompletuar gjithçka me trofeun e 6-të në UEFA Champions League në muajin gusht. Bayerni mposhti në finalen e madhe të Lisbonës Paris Saint Germain me rezultatin 1-0 me një gol të realizuar nga Kingsley Coman. Edicioni 2019-2020 ishte i pazakontë pasi për shkak të COVID-19, u ndërpre në mars dhe rifilloi në gusht me disa nga sfidat e mbetura të 1/8-at.Nga faza çerekfinale deri në finale ndeshjet u zhvilluan në Portugali me takime teke, me Bayernin që turpëroi fillimisht Barcelonën duke mposhtur 8-2, ndërsa më pas mposhti dy ekipe franceze Lyonin 3-0 në gjysmëfinale dhe PSG me rezultat minimal në finalen e madhe. Robert Lewandowski u shpall krye-golashënues i turneut me 15 finalizime.

Sevilla konfirmohet “mbretëresha” e Europa Leagues
Në Europa League Sevilla vendosi një rekord absolut duke e fituar për herë të 6-të në historinë e vetë turneun e dytë më të rëndësishëm për klube. Në Koln skuadra e Julen Lopeteguit mposhti 3-2 Interin e Antonio Contes, duke e çuar në 6 numri ne sukseseve në po aq finale në këtë kompeticion. Golit të shpejtë të Lukakut me penallti iu kundërpërgjigj Luuk De Jong që shënoi dy herë duke përmbysur rezultatin. Interi barazoi shpejt me Godin që në pjesën e parë por autogoli i Lukakut çerek ore nga fundi i sfidës i dha fitoren andaluzianëve. Edhe faza finale e Europa League u luajt në muajin gusht me të njëjtin format si Champions League. Klubi spanjoll fitoi Europa Leaguen për herë të 6 në histori, duke u konfirmuar skuadra me më shumë trofe në këtë kompeticion, ndërsa interesat është fakti se të gjithë sukseset i ka arritur në 14 vitet e fundit.

Bayern fiton edhe Superkupën e Europës
Superkupa e Europës e vitit 2020 do të mbahet mend si një ngjarje e veçantë pasi në Budapest në stadium ku u luajt finalja, UEFA lejoi pjesëmarrjen e tifozëve në masën 20-25 % të kapacitetit të stadiumit. Bayerni fitoi pas kohës shtesë me rezultatin 2-1 ndaj Sevillas, me Goretzka e Martinez që përmbysën avantazhin provizor të spanjollëve me Ocampos nga pika e bardhë e penalltisë. Për Bayernin ky ishte suksesi i dytë në histori në Superkupën e Europës.

Çmimet e FIFA-s, Lewandowski triumfon ndaj “titanëve” të Futbollit
Më 17 dhjetor, në Zyrih të Zvicrës u organizua nga FIFA ceremonia e shpalljes së më të mirëve të vitit 2020 në futboll. Robert Lewandowski u shpall futbollisti më i mirë i vitit, pasi mposhti në fazën finale dy “yjet@ e futbollit, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Sulmuesi polak kaloi një vit magjik me Bayernin e Mynihut, pasi jo vetëm ka fituar çdo trofe të mundshëm, por ka shënuar gjithashtu një numër të pabesueshwm golash.

Pasi riktheu Liverpoolin te titulli kampion pas 30 vitesh, trajneri gjerman, Jurgen Klopp u përzgjodh trajneri më i mirë i vitit, ndërsa “gardiani” i Bayernit, Manuel Neuer, u zgjodh portieri i vitit. Koreano-jugori, Hueng Min Son mori çmimin Puskas për golin më të bukur.

Formacioni i vitit: Alisson, Alexander-Arnold, Van Dijk, Sergio Ramos, Davies, Kimmich, De Bruyne, Alcantara, Messi, Lewandowski, Ronaldo.

 “Globe Soccer Awards 2020”, Ronaldo mposht Messin, Lewandowski më i miri i vitit
Më 27 dhjetor, në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe u organizua ceremonia e “Globe Soccer Awards 2020”, ku u shpërndanë çmimet për protagonistët e futbollit botëror të sezonit të kaluar dhe të viteve 2000 (shekulli i ri). Protagonist i madh i mbrëmjes ishte Cristiano Ronaldo, i cili u zgjodh “Lojtari më i Mirë i Shekullit” përpara rivalit të tij të përjetshëm, Leo Messi. Titulli i “Lojtarit më të Mirë të Vitit” shkoi për sulmuesin polak, Robert Lewandowski.

Sa u përket çmimeve e tjera të njëzet viteve të fundit, Guardiola fitoi çmimin e trajnerit më të mirë, klubi më i mirë u shpall Real Madridi dhe menaxheri më i mirë, Jorge Mendes. Për titujt e tjerë të sezonit të kaluar, Flick shkëlqeu midis teknikëve rivalë, ndërsa Bayerni i Mynihut midis klubeve. Çmimi i karrierës iu dha spanjollëve Piqué dhe Casillas.

“France Football” anulon “Topin e Artë”, çfarë padrejtësie për Lewandowskin!
Pandemia e Koronavirusit, përveçse ndikoi në zhvillimin normal të garave sportive në të gjithë botën, shtyu drejtuesit e revistës së famshme franceze “France Football” të anulonte ceremoninë e “Topit të Artë” me arsyetimin se “nuk përmbusheshin kushtet e mjaftueshme në përcaktmin e fituesit për shkak të COVID-19”. Pati reagime të shumta për një padrejtësi që po i bëhej Robert Lewandowskit, i cili, kur u mor ky vendim, kishte fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë me Bayernin, skuadër favorite për të triumfuar edhe në Champions. Dhe në fakt, kështu ndodhi: bavarezët korrën një sukses të trefishtë sezonal (kampionat, Kupë dhe Champions). Robert Lewadowski e mbylli sezonin me 55 gola me fanellën e Bayernit në të gjitha kompeticionet e për opinionin sportiv nuk do të kishte rivalë për çmimin e “Topit të Artë”.

Lajme të tjera

Kombëtare

Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer, teksa ka gjetur për të dytën javë radhazi rrugën e rrjetës. Sulmuesi kuqezi i dha epërsinë...

Futboll

Në emisionin “Elite Show” në Supersport u fol për derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit të fituar nga të kuqtë me shifrat 1-2....

Kategoria Superiore

Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar kalendarin e javëve të fundit nëvSuperiore. Duke nisur nga java e 34-të e deri...

Itali

Administratori i deleguar i Interit, Giuseppe Marotta lajmëroi se zikaltërit do të bëjnë një merkato me shumë fantazi, për të shfrytëzuar mundësitë dhe për...