Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Tenis/ Turneu më i lavdishëm në histori, të gjithë në ndjekje të Noles

Të gjithë në ndjekje të tenistit më të suksesshëm të turneve Slam. Ditën e hënë, në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar fillon aktiviteti më i lavdishëm në historinë e këtij sporti dhe natyrisht misioni i ndjekësve apo rivalëve të tjerë është për të shkurorëzuar pikërisht kampionin në fuqi, Novak Djokovic.

Kjo pjesë e sezonit mbetet përherë tepër e veçantë, pasi ndeshjet zhvillohen si zakonisht në “green”, ku Nole ka vetëm një emër mbi vete, tenistin legjendar zviceran, Roger Federer, por, siç dihet, veterani helvet, që pas një muaji do të festojë 42-vjetorin, u tërhoq përfundimisht dhjetë muaj më parë, kur bashkoi forcat në lojën dyshe në Kupën Rod Laver me mikun dhe rivalin e tij të përjetshëm Rafael Nadal.

Në Wimbledon Roger ka triumfuar plot tetë herë, pa harruar edhe katër finale të humbura, megjithatë këto vitet e fundit tenisti i mirënjohur ballkanas i është afruar ndjeshëm, madje në këtë edicion që është i 136-ti në historinë e turneut më të vjetër në rruzull, Nole ka një rast të shkëlqyer për t’u barazuar me mjeshtrin zviceran.

Djokovic ka triumfuar radhazi në katër edicionet e fundit që janë luajtur në Wimbledon, sepse për hir të së vërtetës në vitin 2020 organizatorët e aktivitetit të përvitshëm në All England Club preferuan për të mos rrezikuar, për arsye të frikës së përshkallëzimit të situatës së pandemisë së koronavirusit.

Vlen të theksohet gjithashtu edhe fakti që sezonin e kaluar në Wimbledon nuk u lejuan për të marrë pjesë sportistët rusë dhe bjellorusë, për shkak të sulmit të Rusisë në muajin shkurt ndaj Ukrainës, sidoqoftë një pjesë e mirë e lojtarëve kundërshtuan me forcë dhe e konsideruan këtë vendim të drejtuesve të turneut më të lavdishëm në historinë e këtij sporti si krejtësisht të padrejtë.

Si për ironi të fatit, vitin e kaluar në Wimbledon te femrat triumfoi pikërisht një teniste ruse si Elena Rybakina, e cila përfaqëson Kazakistanin dhe në finalen e madhe në Center Court ia doli mbanë për të përmbysur disavatazhin e setit hapës, për të mposhtur tenisten nga Tunizia Ons Jabeur.

Në fund gjithsesi drejtuesit e dy federatave kryesore ATP dhe WTA vendosën për të hequr krejt pikët e grumbulluara nga tenistët pjesëmarrës të edicionit të kaluar, pikërisht për shkak të mungesës së tenistëve nga Rusia dhe Bjellorusia. Gjashtë javë më parë Novak Djokovic festoi 36-vjetorin, megjithatë veterani nga Serbia vazhdon të mbahet shumë mirë dhe falë fizikut të tij të jashtëzakonshëm Nole i ka të gjitha mundësitë, për ta përmirësuar akoma më tepër rekordin e tij me plot 23 turne Slam të koleksionuar në karrierën prej dy dekadash si tenist profesionist.

Tri javë më parë, ndonëse nuk po përjetonte një formë të mirë në clay court, përsëri Novak shkoi deri në fund, për të triumfuar në Roland Garros në dhe të ngjeshur, duke kaluar edhe Nadalin, që ka mbetur prej kohësh në kuotën 22.

Fitorja 7-6, 6-3, 7-5 në finale ndaj numrit katër në planet, norvegjezit Casper Ruud I dha Djokovic-it suksesin e tretë në Kupën e Musketierëve. Në këtë mënyrë Nole ia ka dalë mbanë për të triumfuar në 11 nga 19 turnetë e fundit Slam, në një kohë kur Rafael Nadal gjatë kësaj periudhe ka fituar 5 të tillë.

Pjesa e mbetur plotësohet nga emra si Dominic Thiem, Daniil Medvedev dhe Carlos Alcaraz, të cilët kanë fituar edhe tre edicionet e fundit të tuneut njujorkez në US Open.

Në Wimbledon Djokovici ka statistika gjithashtu të shkëlqyera, teksa ka fituar 6 nga 8 edicionet e fundit. Për të gjetur disfatën e fundit të Djokovic-it në All England Club duhet të kthehemi në vitin 2017, kur Nole u tërhoq në fazën çerekfinale, teksa ishte duke humbur me cekun Tomas Berdych me shifrat 7-6, 2-0.

Sivjet sportisti i famshëm ballkanas do të paraqitet në Wimbledon me vetëm një ndeshje në fushat me bar, sfidën përgatitore në turneun e ekzibicionit në Hurlingham, ku mundi 6-3, 3-6, 10-7 amerikanin Frances Tiafoe.

Falë besimit të jashtëzakonshëm dhe karakterit tepër të fortë në mendjen e tij Novak Djokovic i ka të gjitha mundësitë për të kompletuar Grand Slam-in, gjë që nuk arrihet prej më shumë se gjysmë shekulli. I fundit që ia ka dalë mbanë për t’i rreshtuar që të katërt turnetë e mëdhenj mbetet Rod Laver, gjithsesi përveç vitit 1969 tenisti i famshëm australian ka arritur që të kompletojë Grand Slam-in gjithashtu edhe në vitin 1962.

Lexo edhe:

Në kohët moderne të tenisit askush nuk e ka regjistruar më një arritje të tillë, sidoqoftë tenisti i fundit që i është afruar fitimit të katër turneve të mëdhenj Australian Open, Roland Garros, Wimbledon dhe US Open brenda një sezoni është pikërisht Novak Djokovic, i cili 21 muaj më parë gaboi pikërisht në pengesën e fundit në Flushing Meadoës, ku u thye në tre sete me rezultat identik 6-4 nga Daniil Medvedev.

Çfarëdo që të ndodhë në kryeqytetin anglez, përsëri hierarkia nuk do të ndryshojë. Djokovici nga ana e tij është i shtrënguar për të mbrojtur patjetër 2.000 pikët që mori 12 muaj më parë, pasi mposhti në finalen e madhe australianin problematik Nick Kyrgios, për më tepër duke i përmbysur disavantazhin e setit të parë.

Pas Noles mundësi shumë të mira pritet të ketë gjithashtu edhe tenisti tepër i talentuar spanjoll Carlos Alcaraz, i cili të dielën e kaluar triumfoi në turneun 500 të Queens-it, duke mundur në finale australianin Alex de Minaur. Dy sportistët Carlos Alcaraz dhe Daniil Medvedev përfaqësojnë dy tenistët më të suksesshëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, me plot 5 turne të fituar në 6 finale të zhvilluara.

Falë triumfit në Queens Nole dhe Carlito bënë për herë të gjashtë rokadën në krye të klasifikimit të përgjithshëm ATP dhe tani 20-vjecari nga Murcia kryeson renditjen botërore me 80 pikë më shumë se sa veterani Novak Djokovic, I cili deri në Mastersin e Torontos duhet të mendojë thjesht për të mbrojtur pozicionin e dytë në klasifikim.

Lajme të tjera

Angli

Pas fitores ndaj Brighton, trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola është pyetur ndër të tjera për formën e Phil Foden. Tekniku theksoi se Foden...

Bundesliga

Nëse ka një klub që gëzon më shumë për sukseset e Realit të Madridit, ai është Borussia e Dortmundit. Me titullin e La Ligas...

Kategoria Superiore

Pesë ndeshje pa fitore në kampionat dhe eliminimi nga Kupa e Shqipërisë në fazën gjysmëfinale, bënë që trajneri Qatip Osmani të mos arrijë të...

Serie A

Ish-trajneri i Milanit të madh të viteve ’90, Fabio Capello, është intervistuar nga “Gazzetta dello Sport” për të analizuar problemet e Milanit të këtij...