Connect with us

Hi, what are you looking for?

Featured

Fituesit e mëdhenj të vitit 2021, çmimet dhe transferimet e bujshme

Italia, për herë të dytë kampione e Evropës

Kampionat i Evropian, i zhvilluar gjatë verës, ishte pa dyshim eventi më i rëndësishëm futbollistik i vitit. Italia e Roberto Mancinit u shpall kampione e Evropës për herë të dytë në histori. Të kaltrit mposhtën pas goditjeve të penalltive Anglinë, në Wembley, falë një Gigio Donnarumma që priti dy penalltitë e fundit të goditura nga Sancho dhe Saka. Koha e rregullt përfundoi 1-1, teksa për “Tre Luanët” realizoi pas vetëm 122 sekondash Luke Shaw, ndërsa për italianët e gjeti rrjetën Leonardo Bonucci në pjesë e dytë. Te penalltitë gaboi trajneri Gareth Southgate, që tri të fundit ua la tre zëvendësuesve pa eksperiencë, si: Rashford, Sancho e Sakha, të cilët gabuan të tre, ndërsa te Italia gabuan Belotti dhe Jorginhos.

 Argjentina triumfon në “Copa America”, lumturi për Messin

Argjentina triumfoi për herë të 15-të në “Copa America”, trofe të cilin Lionel Messi ia shtoi palmaresit të tij të pasur. Përfaqësuesja bardhekaltër mposhti në finale Brazilin me rezultatin 1-0 në “Maracana” me gol të Di Marias. Edicioni i 47-të i këtij kompeticionit ishte një nga më të kontestuarit, pasi shumë kërkuan anulimin e tij për shkak të Koronavirusit. Ky ishte një triumf mjaft i rëndësishëm për Lionel Messin, pasi tek “Pleshti” rëndonte shumë barra e mungesës së trofeve me kombëtaren.

Chelsea, fitues i Championsit, Pep Guardiola me “gisht në gojë”

Pep Guardiola duhet të presë për të ngritur trofenë me veshë të mëdhenj, përveçse me Barcelonën. Manchester City, edhe pse konsiderohej favorit, u thye në finalen e zhvilluar në “Estadio do Dragao” të Porto 1-0 nga Chelsea, falë golit të shënuar nga Kai Havertz në fundin e pjesës së parë. Njeriu i ndeshjes u shpall N’golo Kante.

 

Villarreali në histori, mposht Manchester United në finalen e Europa League-s 

Viti 2021 ishte fantastik për skuadrën spanjolle të Villarrealit. “Nëndetësja e Verdhë” shënoi kulmin e saj historik, pasi fitoi për herë të parë Europa League-n, duke mposhtur në finalen e zhvilluar në “Stadion Miejski” të Gdańskut një emër të madh të futbollit evropian, Manchester United. Në fakt, Veillarreali ruajti traditën e ekipeve spanjolle, eksperte që kur u krijua ky kompeticion. Edhe pse “Djajtë e Kuq” ishin favoriti, Villarreali u shfaq në i vendosur për ta fituar trofenë dhe ia doli pas goditjeve të 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën 1-1 (Gerard Moreno 29’/ Cavani 55’). Si rrallë ndonjëherë u gjuajtën në total 22 penallti dhe i vetmi që gaboi ishte portieri De Gea i Manchester United. Futbollisti i turneut u shpall Gerard Moreno.

 Manchester City dominon Premier League-n

Në Premier League, gjatë sezonit 2020-221 dominoi Manchester City, që praktikisht e fitoi trofenë e kampionit shumë javë para fundit. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ishte një makineri e pandalshme gjatë fazës së dytë, duke krijuar një distancë  të frikshme me ndjekësit më të afërt. Për Citizens ky ishte suksesi i shtatë në histori në elitën e futbollit anglez. Kupën e Ligës në Angli e fitoi Chelsea, ndërsa FA Cup Leicester City, që gjithashtu triumfoi edhe në Community Shield përballë City-t.

 Atletico thyen hegjemoninë e Barçës dhe Realit

Në Spanjë, ishte viti i Atleticos së Madridit. “Los Colchoneros”, të drejtuar nga Diego Simeone shfrytëzuan momentin e keq të Barcelonës dhe luhatjet e Realit të Madridit për ta mbyllur LaLigan në vendin e parë me 86 pikë, dy më shumë se “Los Blancos”. Një triumf me fotofinish për një skuadër që udhëhoqi për pjesën më të madhe të sezonit. 11 tituj kampion numëron Atletico në Spanjë, dy të fundit në epokën e Simeones. Barcelona, edhe pse e mbylli me zhgënjim sezonin, arriti të triumfonte në finalen e Kupës së Mbretit, përballë Athetic Bilbaos, për herë të 31-të në histori. Autorë të golave ishin Griezmann, de Jong dhe Messi (dygolësh).

Vijon dominimi i Bayernit në Gjermani

Bayerni i Mynihut nuk njeh rivalë në Bundesligë. Për të nëntin sezon radhazi dhe për herë të 31-të në histori shpallet kampion i Bundesligës. Robert Lewandowski e mbylli kampionatin me një numër rekord golash, 41, duke lënë pas legjendën e Bayernit Gerd Muller. Schalke dhe Werder Bremeni ishin dy klube të rëndësishme në Gjermani që mbyllën renditjen, duke rënë në Bundesligën 2. Kupën e Gjermanisë e fitoi Borussia e Dortmundit, që mposhti 4-1 në finale Leipzigun, ndërsa në Superkupën e Gjermanisë, verdhezinjtë u mposhtën 3-1 nga Bayerni.

PSG s’i mjaftojnë “yjet”, e zbret nga froni Lille

 Befasia e madhe erdhi nga kampionati francez, ku PSG e Neymarit dhe Mbappesë i dorëzoi kurorën e kampionit Lilles, e cila mbylli sezonin me një pikë më shumë se parizienët (83/82), duke triumfuar për herë të katërt në histori. 27 gola shënoi Kylian Mbappe në Ligue 1, më shumë se kushdo tjetër, por në fund morën më shumë vlerë 16 finalizimet e sulmuesit turk të Lilles, Burak Yilmaz. Gjithsesi, parizienët u ngushëlluan me trofenë e Kupës së Francës, pas suksesit 2-0 ndaj Monacos.

 Thyhet pas 9 vitesh Juvja, në fron ngjiten zikaltrit

Pas nëntë vitesh dominim të Juventusit,”Scudetton” në Italia e fitoi Interi. Zikaltrit zhvilluan një sezon në kufijtë e perfektes, duke e mbyllur me 91 pikë, 11 pikë më shumë se Milani, që vetëm në javën e fundit ia doli të siguronte pjesëmarrjen në Champions. Shpëton nderin pikërisht në javën e fundit të Serisë A Juventusi, që parakaloi me “fotofinish” Napolin, që zhgënjeu me një barazim 1-1 përballë Veronës. CR7 fitoi “Këpucën e Artë” në Serinë A me 27 finalizime, tri më shumë se Romelu Lukaku (të dy u transferuan në Premier League në verë). Kupën e Italisë e fitoi Juventusi, pasi mposhti në finale Atalantën me rezultatin 2-1.

 

Në Eredivisie dominon Ajaxi

Në Holandë titulli kampion shkoi për herë të 35-të në histori tek Ajaxi i Amsterdamit. Skuadra kryeqytetase e mbylli Eredivisien me 88 pikë, 16 pikë më shumë se PSV Endhovenit, që u dorëzua gjatë fazës së dytë të kampionatit. “Harkëtarët” triumfuan edhe në Kupën e Holandës, pasi mposhtën në finale 2-1 Vitessen.

Lionel Messi i pakrahasueshëm, fiton për herë të shtatë “Topin e Artë”

Lionel Messi fitoi sërish Topin e Artë (për herë të 7-të në karrierë), si askush thjetër në historinë e futbollit. Me një diferencë fare të ngushtë pikësh, “ylli” argjentinas mposhti konkurrencën e Robert Lewandowskit, duke e thelluar në 2 trofe avantazhin ndaj rivalit të tij të madh, Cristiano Ronaldo sa i përket këtij çmimi individual. Në vitin që fitoi vetëm Kupën e Mbretit me Barcelonën dhe “Copa American” me”Argjentinën, Messit iu dha sërish Topi i Artë, edhe pse shumë mendojnë se e meritonte Lewandowski. Jorginho, fitoi Championsin me Chelsea-n dhe Kampionatin Evropian me Italinë, u mjaftua vetëm me vendin e 3-të.

Mbappe triumfon në “Global Soccer Award”

“Global Soccer Award” ka përzgjedhur më të mirët e vitit 2021. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Dubai. Çmimi i futbollistit më të mirë të vitit shkoi për Kylian Mbappe, teksa Roberto Mancini, i cili udhëhoqi Italinë drejt fitimit të Euro 2020, triumfoi në kategorinë e trajnerëve. Festë edhe për Leonardo Bonuccin e Gigio Donnarummën, respektivisht mbrojtësi dhe portieri më i mirë i vitit.

Skuadra më e mirë për meshkuj u përzgjodh Chelsea, teksa për femra Barcelona. Alexia Putella (Barcelona) spikati si futbollistja më e mirë, teksa pati vlerësime për Txiki Begirista (drejtori sportiv më i mirë) dhe Federico Pastorello (menaxheri më i mirë).

Roberto Lewandowski fitoi çmimet “Diego Maradona” dhe atë të “TikTok fan”. Vlerësime pati edhe për Cristiano Ronaldon e Ronaldinhon, respektivisht golashënuesi më i mirë në histori dhe çmimi i karrierës.

Futbollisti më i mirë i vitit: Kylian Mbappe

Trajneri më i mirë: Roberto Mancini

Skuadra kombëtare më e mirë: Italia

Portieri më i mirë: Gigio Donnarumma

Mbrojtësi më i mirë: Leonardo Bonucci

Skuadra më e mire për meshkuj: Chelsea

Futbollistja më e mirë: Alexia Putella

Skuadra më e mire për femra: Barcellona

Drejtori sportiv më i mirë: Txiki Begiristain

Çmimi i inovacionit (risi të reja): Serie A

Menaxheri më i mirë: Federico Pastorello

Akademia më e mire afrikane: Zed FC

Çmimi “Diego Maradona”: Robert Lewandowski

Çmimi TikTok, futbollisti më i mirë: Robert Lewandowski

Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave: Cristiano Ronaldo

Çmimi i karrierës: Ronaldinho

Pesë transferimet më të bujshme të verës

Edhe pse viti 2021 ishte shumë i vështirë në aspektin ekonomik për shkak të efektit që pati pandemia, nuk munguan lëvizjet e bujshme në merkato. Transferimi që tronditi merkaton, më shumë në aspektin emocional, ishte pa dyshim ai i Lionel Messit nga Barcelona të PSG me kosto zero. Klubi katalan nuk kishte hapësira finaciare për t’i paguar pagën e lartë “Pleshtit”, që e gjeti strehëzën e re te PSG. Tjetër lëvizje e papritur ishte ajo e Cristiano Ronaldos, që la Juventusin, edhe pse kishte edhe një vit kontratë, për t’u kthyer në “Old Trafford”, ku u bë ikonë e futbollit në fillimet e karrierë së tij.

Rekordin këtë vit për çmimin e kartonit e mban Jack Grealish, për të cilin Manchester City pagoi 117.5 milionë stërlina në arkat e Aston Villas. Transferimi i dytë më I shtrenjtë ishte Romelu Lukaku, që iu bashkua Chelsea-t nga Interi për 100 milionë stërlina, ndërsa në vend të tretë është kalimi i Jadon Sanchos te Manchester United nga Borussia e Dortmundit për 85 milionë stërlina.

 

 

 

Lajme të tjera

Kombëtare

Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer, teksa ka gjetur për të dytën javë radhazi rrugën e rrjetës. Sulmuesi kuqezi i dha epërsinë...

Futboll

Në emisionin “Elite Show” në Supersport u fol për derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit të fituar nga të kuqtë me shifrat 1-2....

Kategoria Superiore

Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përcaktuar kalendarin e javëve të fundit nëvSuperiore. Duke nisur nga java e 34-të e deri...

Itali

Administratori i deleguar i Interit, Giuseppe Marotta lajmëroi se zikaltërit do të bëjnë një merkato me shumë fantazi, për të shfrytëzuar mundësitë dhe për...